KQZ merr vendimin, anulon akreditimin e vëzhguesve në vendin e numërimit të votave të diasporës, ja kush bën përjashtim

May 15, 2025 | 19:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me procesin zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë, që u mbajt më 11 maj 2025. Nëpërmjet një vendimi zyrtar, është njoftuar anulimi i akreditimit për të gjithë vëzhguesit në Vendin e Numërimit të Votave nga Jashtë (VNVJ), me përjashtim të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Screenshot_5

Sipas vendimit, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të ketë vetëm një vëzhgues për çdo grup numërimi, si dhe një vëzhgues për çdo qark.

Po ashtu, organizatat e shoqërisë civile që dëshirojnë të vëzhgojnë procesin duhet të riparashtrojnë kërkesën për akreditim përmes Portalit të Vëzhguesve, jo më vonë se ora 24:00 e datës 16 maj 2025. Çdo kërkesë e dorëzuar jashtë këtij afati nuk do të merret në shqyrtim nga KQZ.

Kundër këtij vendimi, palët e interesuara mund të paraqesin ankim pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda tre ditëve nga data e marrjes së tij.

Ky vendim synon të rrisë transparencën dhe integritetin e procesit të numërimit të votave, duke kufizuar aksesin e vëzhguesve jo të akredituar dhe duke forcuar rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe të subjekteve të regjistruara.

Screenshot_4

© Panorama.al

Te lidhura