KQZ djeg fletët e votimit të 8 majit, Tirana e para

Oct 27, 2011 | 11:03

Gati pesë muaj pas mbajtjes së zgje-dhjeve lokale në vend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nis djegien e fletëve të votimit të përdorura më 8 maj. Vendimi unanim i marrë në një mbledhje të KQZ-së në muajin shtator, nisi të zbatohej dje, një ditë pasi kishte filluar zyrtarisht afati për boshatisjen e kutive dhe të parat ishin ato të Tiranës. Në orët e para të ditës punonjësit e kontraktuar kanë nisur boshatisjen e magazinave shtetërore në Lundër dhe pasi ndanin veç listat e zgjedhësve që do të shkojnë në Arkivin e Shtetit, pjesën tjetër të dokumentacionit e kanë dërguar rreth 30 metra më larg, në një kanal ku edhe digjeshin.
Fletët e Tiranës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë dje zërat se Prokuroria ka sekuestruar kutitë e votimit për Bashkinë e Tiranës. Drejtoresha Logjistike e KQZ-së, Erida Dobrushi, tha në një prononcim për mediat, se “nuk ka asnjë kërkesë sekuestroje nga Prokuroria e Tiranës për sekuestrim të kutive të qarkut të Tiranës. 2-3 muajt e fundit ka kërkesa për sekuestrim materialesh nga zona të caktuara, kryesisht komuna dhe kryesisht për kuti me materiale zgjedhore, pasi lidhet me dokumentacionin që kanë punuar qendrat e votimit. Duke llogaritur dhe kutinë e fundit që ka ardhur dhe ka marrë sot Prokuroria e Shkodrës, janë rreth 14 kuti”, vijon Dobrushi. Kutitë që kanë shkuar të fundit në magazinat e Lundrës, pas numërimit të votave të hedhura gabim, ishin ato të Bashkisë së Tiranës. Pikërisht këto kuti kanë nisur të hapen të parat në prezencë edhe të përfaqësuesve të KQZ-së. “Asgjësimi ka filluar me qarkun e Tiranës, pasi është dhe qarku i fundit që ka mbërritur dhe teknikisht janë kutitë e para që janë në magazinë. Afërsisht asgjësohen dy deri në tri ZAZ në ditë, që është mesatarisht një mijë kuti në ditë”, tha Erida Dobrushi. Gjatë ditës së djeshme, punonjësit e KQZ-së kanë hapur kutitë e votimit të Njësisë Bashkiake Nr. 5, e cila u mbyll e fundit dhe që shkaktoi edhe vonesat gati dymujore të shpalljes së fituesit për Bashkinë e Tiranës. Sipas llogarive që ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga kutitë e Tiranës, brenda katër ditëve, do të ngelen vetëm listat e zgjedhësve, të cilat do të shkojnë në Arkiv, dhe asgjë tjetër. Pas përfundimit të të gjitha kutive të kryeqytetit, përfshi edhe ato të Këshillit Bashkiak, njësive bashkiake dhe këshillave të njësive bashkiake, do të vazhdohet me kutitë e votimit të bashkive dhe komunave të tjera. Në total janë 15 mijë kuti, të cilat do të hapen të gjitha dhe do të pastrohen nga materialet që nuk nevojiten më. KQZ-ja ka miratuar një fond prej 5.4 milionë lekësh për këtë proces. Sipas përllogaritjeve të bëra nga administrata për djegien e rreth 7.2 milionë fletëve të votimit, do të përdoren një mijë litra benzinë, 3 mijë zarfe për sistemin e dokumentacionit që do të dërgohet në Arkivin Qendror dhe 3 mijë thasë plastmasi për mbeturinat. Në fund të tij do të bëhet edhe rivlerësimi i gjendjes së kutive të votimit, ku do të përcaktohet se sa prej tyre janë ende në gjendje dhe të përdoren në zgjedhjet e ardhshme. Gjatë diskutimit të aktit në KQZ, përfaqësuesit e PS-së kërkuan shtyrjen e tij me pretendimin se duhej pritur hetimi që ka ndërmarrë Prokuroria për mosrakordimin e shifrave në Tiranë.

60 punonjes
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kontraktuar 60 punonjës, të cilët do të paguhen për dy muaj punë për të djegur rreth 7.2 milionë fletë votimi që u printuan për t’u përdorur në zgjedhjet lokale të 8 majit. Sipas planit, do të përdoren 1 mijë litra benzinë dhe 3 mijë zarfe ku do të ruhen materialet që do të shkojnë në Arkivin e Shtetit

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura