PRISHTINE-Atifete Jahjaga, 36-vjeçare, është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës. Deputetet kane votuar presidenten konsensuale, qe do te jete ne krye te shteit ri, pasi ka marre shumicen e votave.
Jahjaga ka fituar qysh në raundin e parë, duke marrë 80 vota, nga 100 deputetët e pranishëm në sallë.
Kandidatja tjetër, Suzanë Novobërdaliu, mori 10 vota, kurse 10 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Jahjaga ben betimin si presidente
Pas marrjes së besimit , Atifete Jahjaga, e nominuar nga PDK, AKR, LDK, ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe ka mbajtur një fjalim gjatë të cilit shprehu zotimin se do të jetë faktor unifikues politik dhe përfaqësuese e të gjithë qytetarëve pa dallime etnike.
“Zgjedhja ime presidente e Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin konsensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike, parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. Duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një agjendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm”, ka thënë Jahjaga.
Duke përkujtuar se asnjëherë nuk ka menduar se do të ketë një post kaq të rëndësishëm politik, presidentja Jahjaga ka thënë se është shprehur e gatshme të shërbejë për vendin, për ndërtimin e institucioneve më të rëndësishme demokratike.
“Do të përpiqem të sigurohem se Kosova t’i dëshmojë vlerat më të mira të demokracisë dhe Kushtetutës”, ka thënë ajo.
Presidentja e sapozgjedhur, ndër të tjera, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin e ka cilësuar një proces normal dhe i cili sipas saj do të ketë sukses, dhe pas përfundimit të tij rajoni do t’i kthehet paqes dhe stabilitetit.
Seancë të jashtëzakonshme për presidentin
Kuvendi i Kosoves u mblosh sot pasdite ne seance te jashtezakonshme per zgjedhjen e presidentit konsensual, qe si u be me dije nje dite me pare eshte Atifete Jahjaga. Lajmi per mbledhjen e Kuvendit u njoftua nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili konfirmoi se janë mbledhur edhe nënshkrimet e nevojshme për seancën e jashtëzakonshme dhe dy kandidatët për president.
Grabovci deklaroi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së, se përveç kandidates konsensuale Atifete Jahjaga, do të jetë edhe një tjetër kandidat i AKR-së, por nuk është bërë i ditur emri.
Në mbledhjen e Grupit parlamentar të PDK-së nuk kanë qenë të pranishëm Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, por Grabovci këtë mungesë e ka arsyetuar, duke thënë se ata kanë qenë të zënë me angazhime tjera.
Kuvendi mblidhet për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, post ky që tani pritet të udhëhiqet nga një femër, për të cilën janë pajtuar dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, e po ashtu është pajtuar edhe Behgjet Pacolli, i cili udhëhoqi vendin për 35 ditë.
Jahjaga ka ardhur si propozim konsensual për presidente të vendit pas dy ditë negociatash ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të dorëhequr të AKR-së, Behgjet Pacolli, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
© Panorama.al











