Albin Kurti duke u folur protestuesve gjatë protestës së djeshme në pikat kufitare
Mbi 100 të arrestuar mes tyre 5 deputetë, 13 policë e 6 protestues të lënduar.
Policia e Kosovës e ndaloi bllokimin e rrugëve që ishte paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke arrestuar dhjetëra aktivistë e deputetë dhe duke shpërndarë të tjerët me ujë të ftohtë e gaz lotsjellës. Ndërsa te Dheu i Bardhë mediat kosovare raportojnë se rruga u lirua dhe protesta u shpërnda, rreth orës 18:00, pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe ujit të ftohtë, në Merdarë, turma shpërndahej nga policia dhe bashkohej sërish rreth 5 kilometra larg pikës kufitare, pranë Podujevës. Aktivistët akuzojnë policinë se po vepron pasi u errësua, që të mos shihen qartë veprimet e tyre. Te Dheu i Bardhë protestuesit u shpërndanë në mbrëmje në dy anët e rrugës tashmë të zhbllokuara dhe situata duket e qetë. Numri i pjesëmarrësve nuk ishte aq i madh sa ishte parashikuar për shkak të bllokimit që u ka bërë policia kosovare autobusëve dhe makinave me protestues në të gjithë vendin, kryesisht me forca dhe mjete të blinduara në rrugën nga Prishtina drejt portave doganore 3 dhe 5. Protesta nisi rreth orës 13:00 me rreth 300 aktivistë, pas orës 14:00 u shtuan edhe 200 të tjerë, ndërsa Kurti vazhdimisht bënte thirrje që të mos sulmohej asnjë polic i Kosovës. Policia kishte blinduar të dyja pikat doganore dhe dukej në fakt sikur bllokada ishte bërë prej tyre, për shkak të numrit të madh të policëve që ndodheshin atje. Pika e Merdarës ishte bllokuar 5 kilometra para. Kurti ka akuzuar qeverinë e Kosovës se është ajo që po pengon qarkullimin e lirë, pasi ka ndaluar qytetarët e saj të kalojnë në rrugët e vendit. Pas ultimatumeve të policisë për shpërndarjen e protestuesve, pamjet televizive tregonin skena kaotike të protestuesve të zemëruar mes gazit lotsjellës të përdorur nga policia. Në Merdarë, protesta u shpërnda dy herë dhe u mblodh përsëri. Ndërsa qeveria e Kosovës ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për dhunën në protestë, kjo e fundit ka akuzuar policinë se po përdor dhunë kundër aktivistëve dhe deputetëve të saj, madje duke mos ndihmuar as të plagosurit, po duke i tërhequr zvarrë deri te furgonat e policisë. Autobusët nga Shqipëria janë bllokuar në të dyja pikat kufitare, në Shqipëri dhe në Kosovë, e protestuesit shqiptarë kanë mbërritur rreth pasdites në vendin e protestës. Pavarësisht bllokimit prej disa orësh, pas orës 15:00, Policia e Kosovës ka njoftuar se të paktën dy kamionë me targa serbe kanë kaluar në pikën kufitare të Merdarës drejt Podujevës, të shoqëruar prej policisë. Kurti kishte premtuar se protesta do të ishte plotësisht paqësore, por tensionimi i situatës nga bllokimi i rrugës prej policisë nuk e ka lejuar këtë gjë. Mes palëve kanë nisur përplasjet, fillimisht fizike e më pas me gaz lotsjellës nga Policia e Kosovës dhe me gurë nga aktivistët. Një aktivist i Vetëvendosjes, Xhelal Sfeqla, tha se dy aktivistë janë lënduar pasi u goditën me plumba gome. Sipas Policisë, 13 policë janë lënduar në protestën e Vetëvendosjes, ndërsa kjo lëvizje deklaron se janë 6 aktivistë të lënduar nga policia. Vetëvendosja ka njoftuar se mbi 100 persona janë arrestuar, por ka përgënjeshtruar zërat për arrestimin Albin Kurtit, i cili ka pësuar vetëm lëndime të lehta nga përplasja me policinë. Ndërkohë është konfirmuar arrestimi i pesë deputetëve të Vetëvendosjes dhe nënkryetarit të saj, Shpend Ahmeti.
69 deputete
dhe aktivistë të Vetëvendosjes janë arrestuar në protestën e djeshme të kësaj lëvizjeje kushtuar zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë. Gjatë protestës u lënduan edhe 13 policë, 6 aktivistë, ndërsa policia njoftoi se rreth 112 persona janë arrestuar në aksin rrugor Prishtinë-Podujevë.
Rrihet deputeti
Glauk Kunjofca, një nga pesë deputetët e arrestuar nga policia në aksionin që ndërmori dje Lëvizja Vetëvendosje për bllokimin e kufijve, është rrahur brutalisht nga policia. Bashkë me të edhe pesë persona të tjerë janë lënduar rëndë. Kështu shkruhet në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në “Facebook”. “Deputeti Glauk Konjufca rrihet brutalisht”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Konjufca, bashkë me deputetë tjerë, ka qenë i pranishëm gjatë gjithë ditës në afërsi të pikës kufitare të Dheut të Bardhë.
Reagimi i qeverisë
Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhjen për tensionimin e situatës në pikat kufitare me Serbinë, duke fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për dhunën e shkaktuar në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. “Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për veprimet e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuara kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë në mbrojtje të rëndit dhe ligjit. Qeveria qëndron fuqishëm në mbështetje të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Dy ultimatume
Policia e Kosovës ka dhënë dy ultimatume dje për shpërndarjen e protestuesve, në njërin prej tyre iu dha 5 minuta kohë për t’u shpërndarë, ndërsa në tjetrin 30 minuta. Pas kësaj është përdorur gazi lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe uji i ftohtë për të shpërndarë protestuesit e Vetëvendosjes. Ata janë strehuar në oborret e shtëpive rrotull dhe më pas i kanë goditur policët me gurë e sende të forta, përkundër thirrjeve të Albin Kurtit që të mos sulmohej asnjë polic.
Ambasada SHBA
Ambasada Amerikane në Prishtinë e ka parashikuar alarmuese situatën që do të krijohej në protestën e Vetëvendosjes dhe u ka dërguar një mesazh urgjent të gjithë qytetarëve amerikanë. “Grupi politik Vetëvendosje ka bërë të ditur se do të bllokojë dy pika kufitare me Serbinë: Merdarë, e njohur si Porta 3 në afërsi të Podujevës dhe Dheu i Bardhë, i njohur si Porta 5, në afërsi të Kamenicës. Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimin nëpër këto pika kufitare”, thuhet mes të tjerash.
Ndalohen në Vërmicë 100 të rinj të organizuar në Tiranë “Na nxorën pretekste dhe s’na lanë të kalojmë”
Klodian Hisa pas lirimit nga policia e Kosovës
KUKES- Mbi 100 të rinj të organizuar në Tiranë nga OJQ të ndryshme janë gjendur përpara një të papriture në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, në Kosovë. Sipas tyre, ata janë ndalur me lloj-lloj pretekstesh për të mos mbërritur në orarin dhe vendin e duhur në mbështetje të Vetëvendosjes. Madje, mbi ta policia e Kosovës ka lëshuar dhe sprajt lotues. Djemtë dhe vajzat e ardhura nga Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra e qytete të tjera kanë qenë të vendosur në misionin e tyre në mbështetje të Vetëvendosjes. Dy autobusë të Tiranës kanë mbërritur në orën 11:00 dje në pikëkalimin kufitar të Morinit. Pasi janë kryer procedurat e kontrollit, ata kanë vijuar për në Vërmicë, në Kosovë, aty ku sipas tyre kanë nisur burokracitë në kontrolle. “Dukej qartë se policia po vononte qëllimisht me kërkesa jolegjitime autobusët, për të mos qenë në kohën dhe vendin e duhur në mbështetje të Vetëvendosjes, u shprehën ata. Pesë prej tyre janë mbajtur rreth dy orë në polici, por më pas janë liruar, ndonëse nuk arritën asnjëri të shkonin në vendin ku ishin nisur. “I kërkuan shoferit një dokument që nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë, thjesht për të na ndaluar”, u shpreh pasi doli nga policia Klodian Hisa, nga Durrësi. j.h