
Rrugëdalja e vetme për Veriun është zbatimi i plotë të Planit Ahtisari dhe mbajtja e zgjedhjeve, thotë Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në intervistën dhënë radios “Europa e Lirë”, gjatë vizitës që i ka bërë selisë qendrore të radios në Pragë.
Zonja Presidente, po shohim këto ditë sërish disa përpjekje të Bashkimit Europian për të rivendosur dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Në anën tjetër, ka pasur kërkesa në skenën politike në Kosovë që të braktisen fare këto bisedime. Shikuar nga zhvillimet e deritashme, a ka ndonjë kuptim, sipas jush, dialogu me Serbinë?
Po, sigurisht që ka kuptim, madje edhe mjaft. Dialogu, jo vetëm që është rruga më e mirë, por, këtë e kam thënë edhe herëve të tjera, është rruga e vetme që dy vende, të cilat kanë pasur një fazë të luftës dhe të konfliktit të armatosur, të mund t’i normalizojnë marrëdhëniet mes tyre dhe t’i zgjidhin të gjitha konfliktet dhe çështjet mes tyre. Edhe Republika e Kosovës, edhe Republika e Serbisë duhet të vendosin marrëdhënie normale mesvete. Po ashtu, duhet të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet, duke aplikuar apo duke vendosur marrëveshje ndërshtetërore, proces tanimë që Kosova e ka realizuar apo e ka kryer me të gjitha vendet e rajonit, veçanërisht me shtetet fqinje, si me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe vende të tjera. Edhe Serbia, edhe Kosova, në rregullimin e këtyre çështjeve duhet t’i marrin për bazë të gjitha praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Europian, sepse, tekefundit, e ardhmja apo synimi i dy vendeve është që të jenë vende anëtare të BE-së. Pra, dialogu duhet të vazhdojë deri në arritjen e marrëveshjeve, ashtu siç është paraparë edhe me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deri në gjetjen e zgjidhjeve që janë në të mirë, dhe hyjnë në funksion të jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.
Mirëpo, mospajtimet kryesore ndërmjet palëve ndërlidhen me Veriun e vendit. Këto probleme u patën bërë një lloj “molle sherri” edhe për dialogun në raundin e fundit. A mendoni se ka ndonjë rrugëdalje rreth Veriut të Kosovës, me të cilën do të mund të qetësoheshin gjakrat, sikurse në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd?
Problemi në tri komunat në Veri të Republikës së Kosovës është një problem që ka ekzistuar apo ka qenë që nga fillimi. Problemi gjithnjë qëndron në mospranimin e pushtetit legal dhe legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës, edhe përkundër faktit që Republika e Kosovës e ka të garantuar sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Doganat në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk kanë funksionuar që nga fillimi. Këto dy pika kufitare janë përdorur si një portë e hapur për kontrabandim të mallrave dhe për realizimin e të gjitha aktiviteteve të grupeve të krimit të organizuar. Kjo, në masë, ka bërë dëmtimin e buxhetit dhe të ekonomisë si të Kosovës, po ashtu edhe të Serbisë. Veçanërisht, ka bërë që grupet kriminale të përfitojnë në dëm të qytetarëve në këtë pjesë të Republikës së Kosovës. Rrugëdalja e vetme është implementimi apo zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit dhe sigurisht mbajtja e zgjedhjeve në këto tri apo katër komuna në Veri të Republikës së Kosovës, me qëllim që t’i kemi përfaqësuesit e zgjedhur, legalë dhe legjitimë të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilët do t’i përfaqësonin interesat e qytetarëve në këto komuna, në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, të cilët, njëherësh, do të zbatonin apo do të respektonin Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Zonja Presidente, janë përmendur disa opsione për Veriun që nuk janë në përputhje me “Pakon e Ahtisarit”. Është përmendur një mbikëqyrje ndërkombëtare për Veriun – ndonëse jozyrtarisht. A do ta mbështesnit një ide të tillë, një plan të tillë për Veriun?
Jo. Jam fuqimisht kundër kësaj, sepse Kosova është një shtet i pavarur tanimë dhe është e pranuar nga 84 shtete të tjera të botës dhe ka marrëdhënie të vendosura diplomatike me të gjitha shtetet më të fuqishme të botës. Është në proces e sipër të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike edhe me shtete të tjera për interesa të përbashkëta. Unë nuk jam dhe asnjëherë nuk kam qenë e gatshme që një pjesë të sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës ta bart për një mbikëqyrje ndërkombëtare.
(Marrë me shkurtime nga “Europa e Lirë”)











