Për herë të parë, Kosova do të ketë një Presidente femër dhe ajo është vetëm 36 vjeç.Arrin të ketë postin më të lartë të shtetit të Kosovës Atifete Jahjaga, kandidatja konsensuale e marrëveshjes mes partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe AAK-së, por edhe partisë që kishte deri tani presidencën, AKR-së.
Jahjaga ka fituar që në raundin e parë të votimit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, duke marrë 80 vota pro, nga 100 deputetë të pranishëm në sallë. Ndërsa kundërkandidatja, Suzanë Novobërdaliu, mori 10 vota. Dhjetë fletëvotimet e tjera ishin të pavlefshme. Seanca e jashtëzakonshme nisi në orën 18:00. Në të ishin caktuar nga Kryesia e Kuvendit dy pika në rend dite, zgjedhja e Presidentit të vendit dhe miratimi i marrëveshjes së arritur ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për ndryshimet kushtetuese dhe të Ligjit Zgjedhor. Seanca u hap nga Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, paraqiti dy kandidaturat, për të cilat janë mbledhur nga së paku 40 nënshkrime të deputetëve. Suzanë Novobërdaliu ishte kundërkandidate e Jahjagës, vetëm për të përmbushur dispozitat kushtetuese të vendit. Pas fillimit të seancës, në emër të “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, ka thënë se kandidatja “konsensuale”, Atifete Jahjaga, është e panjohur për opinionin e Kosovës, nuk dihen qëndrimet e saj për çështjet e rëndësishme politike dhe ekonomike, siç është veriu, Pakoja e Ahtisaarit, privatizimi i PTK-së etj dhe VV nuk mund të votojë për të. Ymeri akuzoi Isa Mustafën, se i ka zgjatur jetën koalicionit qeveritar, siç kishte bërë paraardhësi i tij, Fatmir Sejdiu. Deputetët e “Vetëvendosjes” janë larguar nga sallë. Por shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se deputetët e tyre do të jenë të pranishëm në sallë.
Jahjaga bën betimin
Atifete Jahjaga, e nominuar nga PDK-ja, AKR-ja, e LDK-ja, ka bërë betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. “Zgjedhja ime Presidente e Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin konsensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. Duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një axhendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm”, tha Jahjaga. Ajo shtoi se është shprehur e gatshme t’i shërbejë vendit për ndërtimin e institucioneve më të rëndësishme demokratike. “Do të përpiqem të sigurohem se Kosova do t’i dëshmojë vlerat më të mira të demokracisë dhe Kushtetutës”, tha ajo. Sa për dialogun Kosovë-Serbi, Presidentja e re e ka cilësuar një proces normal, i cili sipas saj do të ketë sukses.
Kush është Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga, deri më tani ishte zv/drejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Kosovës. Ajo ka lindur në Gjakovë. 36-vjeçarja, në formularin e pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion ka deponuar të dhëna se është e martuar me Astrit Kuçin dhe nuk ka fëmijë. Merr pak më shumë se një mijë euro rrogë në muaj për punën e saj në Policinë e Kosovës. Punon në këtë pozicion që në vitin 2000 dhe tani ka gradën “Kolonele”. “Prej rreshterit është graduar majore, e më pas kolonele. Atifetja, juriste e diplomuar, karrierën e saj në polici e ka filluar si përkthyese, më pas police në departamentin e policisë kufitare, e pastaj në njërin nga departamentet më të rëndësishme të policisë, atë të trajnimit”, thuhet në biografinë e saj, në faqen e Policisë. Jahjaga ka kryer trajnime të shumta, duke përfshirë kryesoret në SHBA. Sipas “Express”, fotot e saj më të njohura janë me ish-presidentin Xhorxh Bush dhe me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, gjatë vizitës së saj në Kosovë.
Presidentja e re e Kosovës nuk do të ketë mandat të plotë, por gjatë mandatit të saj, që pritet të jetë nga 6 deri në 9 muaj, do të ndryshohet ligji për zgjedhjet, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt me votat e qytetarëve.
Votimi
Të pranishëm
100 deputetë
Jahjaga
80 vota pro
Novobërdaliu
10 vota
Të pavlefshme
10 fletëvotime
Kush është Suzanë Novoberdaliu
Kundërkandidate e Atifete Jahjagës ishte Suzanë Novobërdaliu, deputete e AKR-së. Ajo nuk është një personazh i njohur politik, por ishte përmendur edhe më parë si kundërkandidate e Pacollit, para se ai të tërhiqej nga votimi. Deputetja e AKR-së është futur në Kuvendin e Kosovës, pas krijimit të qeverisë “Thaçi 2”, kur edhe janë liruar 14 vende të reja për deputetë. Ajo ka qenë deputete edhe në mandatin e kaluar. AKR-ja edhe kësaj radhe ka pranuar se kandidimi i saj bëhet vetëm me qëllim të plotësimit të kriterit kushtetues.
Deklaratat e Ambasadorit Dell për Presidenten
Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, ka lavdëruar përpara zgjedhjes Atifete Jahjagën. Dell tha se është i bindur që ajo do të jetë një presidente, e cila do të dijë t’i ruajë Kushtetutën dhe institucionet e Kosovës, siç i kërkohet një udhëheqësi të shtetit. “E di se ajo kurrë nuk e ka kërkuar një nder të tillë. Ajo është një prej oficerëve më të mirë në Kosovë dhe qysh para 11 vjetësh ajo është zotuar se do ta përmbushë misionin për sundimin e ligjit”, tha Dell. Presidenca e saj, sipas tij, do të shënojë një kapitull të ri konstruktiv në historinë e Kosovës. Dell ka pranuar se SHBA-ja kanë punuar me vite me Jahjagën.
Jakup Kransiqi “bën copë” Presidenten dhe marrëveshjen
Ushtruesi i detyrës së Presidentit, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e ka cilësuar marrëveshjen mes Thaçit, Mustafës dhe Pacollit me ambasadorin Dell një shkelje kushtetuese, sepse Kushtetuta nuk e lejon ndërprerjen e mandatit pesëvjeçar të Presidentit, ndërsa ata kanë nxjerrë një mandat të ri 6 apo 9- mujor. Ndërsa për Presidenten e re të Kosovës, para zgjedhjes së saj, ai tha se ajo mund të jetë një police e mirë, por nuk është as politikane, as akademike dhe policët vijnë në pushtet vetëm gjatë puçeve të shtetit. Krasniqi shtoi se Thaçi ka thyer statutin e PDK-së, duke mos e konsultuar fare atë për marrëveshjen. “Vendit i duhej një President nga sfera politike, ose, në rastin e konsensusit, nga bota akademike”, tha ai për “Kohavizion”, duke shtuar se “dikush i policisë në pushtet vjen zakonisht në kohë puçesh”. Kryetari i Kuvendit shprehu keqardhjen që partitë e tjera opozitare, AAK-ja dhe Vetëvendosje, janë anashkaluar nga procesi në mënyrë të padrejtë. Ai ka shprehur dyshimin se kjo marrëveshje do të mund t’i japë fund krizës politike në vend. Kreu i Kuvendit ka mohuar edhe zërat për dorëheqjen e tij, duke i quajtur ato thjesht spekulime mediatike. Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Krasniqi, nuk mori pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PDK-së me Thaçin. Në mbledhje nuk mori pjesë as nënkryetari, Fatmir Limaj.
Kritikat e VV-së dhe AAK-së
Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kritikuar mënyrën e arritjes së marrëveshjes së djeshme, duke e cilësuar atë antikushtetuese. “Problemet dhe puna institucionale po definohet në bazë të vullnetit arbitrar dhe pazarllëqeve individuale të liderëve partiakë. Ky është dëmi më i madh për Kosovën”, tha deputeti i Vetëvendosje, Glauk Konjufca. As VV dhe as AAK nuk janë ftuar që të marrin pjesë në takimet e zhvilluara në Zyrën Amerikane mes kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe ish-kreut të AKR-së, Behgjet Pacollit.
Dell dhe Feith, pro marrëveshjes
Përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Piter Feith, e përshëndeti marrëveshjen e arritur midis partive më të mëdha politike në Kosovë, duke vlerësuar se ajo “ofron perspektivën për zgjedhjen e shpejtë dhe të rregullt të Presidentit të Republikës dhe hap rrugën për reformën e pranuar reciprokisht të procesit zgjedhor. Kjo mund të hapë një epokë të re të qeverisjes më përfshirëse dhe konsensuale, në të cilën të gjithë aktorët mund të japin kontributin e tyre”, tha mes tjerash Feith. Edhe ambasadori amerikan Kristofer Dell e mbështeti marrëveshjen, për të cilën ai vetë ishte negociator, dhe mburri kandidaten për deputete Jahjaga.
© Panorama.al











