Korrupsioni, në pranga avokati i Fierit

Oct 19, 2011 | 13:18

FIER- Arrestohet një avokat nga Fieri, i cili i mori klientit të tij një sasi të konsiderueshme parash, për ta nxjerrë në mënyrë të paligjshme nga burgu. “Drejtoria kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë e Fierit e Vlorës, finalizuan operacionin ‘Pafajësia’, dhe arrestuan shtetasin Edmond Toska, 51 vjeç, me profesion avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier”, thuhej në njoftimin e policisë. Mësohet se ai u kishte marrë një shumë prej 3000 eurosh dhe 100 mijë lekësh të afërmve të një personi të akuzuar për vjedhje, për t’ua dhënë ryshfet personave përgjegjës, që do të bënin të mundur lirimin nga burgu dhe pushimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.S. “Operacioni për arrestimin e këtij shtetasi u zhvillua sot (dje) në qytetin e Fierit, pas një hetimi disamujor me teknikat speciale të hetimit”, bëri të ditur Policia. Sipas burimeve policore, materialet në ngarkim të avokatit Toska i kanë kaluar Gjykatës së Vlorës, e cila bazuar në materialet e grumbulluara, ka caktuar dje masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Pas marrjes së këtij vendimi, kryen arrestimin e tij. Drejtoria kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit bëri të ditur se po vazhdojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.                                 m.r

© Panorama.al

Te lidhura