Korçë, vrasja e taksistit, “rrëzohet” trupi gjykues

Apr 12, 2011 | 10:57
Të pandehurit dje në gjykatë

KORÇE – Rrëzimi i kërkesave paraprake të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për vrasjen e taksistit Fredi Talelli çoi në ndryshimin e trupit gjykues, në seancën e dytë gjyqësore. Gjyqtari Admir Belishta, pranoi kërkesën e mbrojtjes nga ku do të vendoset një short i dytë elektronik për caktimin e trupit gjykues. Avokatët u shprehën se trupi gjykues tregoi paragjykim dhe njëanshmëri në këtë seancë, pasi nuk pranoi kërkesat paraprake të tyre. Ata kërkuan që për katër të pandehur që kanë akuza më të lehta, si “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” apo “armëmbajtje pa leje”, të veçohet çështja nga dy të akuzuarit për “vjedhje me pasojë vdekjen” e taksistit nga Devolli. Kjo kërkesë nuk u pranua nga prokurori i çështjes dhe, pas një konsultimi edhe nga trupi gjykues, u vendos që të mos merret parasysh. Për një prej autorëve të vrasjes, që është i mitur, A.Xhaçka nga Bilishti, u vendos të pranohet gjykimi i shkurtuar. Kërkesa e avokatëve për veçimin e çështjes për katër nga gjashtë të pandehurit, u rrëzua me argumentin se vrasja e taksistit është komplekse dhe ngjarja ka pasur episode të ndryshme që kanë lidhje midis tyre. Edhe pse trupi gjykues, pas një konsultimi të dytë pranoi kërkesën e avokatëve për të caktuar një tjetër trupë gjyqtarësh, seanca vazhdoi me parashtrimin e materialit hetimor nga ana e prokurorit. Sipas tij, vrasja e Fredi Talellit në muajin nëntor të vitit të kaluar, ka qenë e paramenduar. Të pandehur për vrasjen e taksistit nga fshati Pilur i Devollit janë Arnest Xhaçka dhe Elkjero Revani nga qyteti i Bilishtit si autorët kryesorë të krimit, si dhe katër të tjerë, Domeniko Kumria nga Elbasani, Jurgen Zeqo, Kastriot Papleka dhe Amarildo Selmani nga Lezha. Ky grup prej 6 personash u arrestua në muajin nëntor të vitit të kaluar, një javë pas zhdukjes së taksistit Talelli.                                          g.a

© Panorama.al

Te lidhura