
Vetëvaret studenti i Mjekësisë. Një 22-vjeçar nga qyteti i Korçës është gjetur i varur në një pemë, ndërsa rezultonte i larguar nga familja prej 4 ditësh. Mariglen Veis, student i Fakultetit të Mjekësisë në kryeqytet, është vetëvarur në një pemë në tokat në pronësi të familjes së tij, në fshatin Sheqeras. Sipas të dhënave të Policisë së Korçës mësohet se ka qenë pikërisht xhaxhai i viktimës ai që e ka gjetur mbrëmjen e së mërkurës trupin e 22-vjeçarit, ndërsa ende nuk bëhet i qartë shkaku i vetëvrasjes së tij. Nga deklarimet e familjarëve, Mariglen Veis ishte nisur për te gjyshi i tij në Maliq të Korçës dhe u kishte thënë prindërve se do të qëndronte atje për disa ditë. Pasi kishin biseduar disa herë në telefon me të, të afërmit kanë pritur mbërritjen e të riut. Të shqetësuar nga vonesa ata janë alarmuar dhe kanë nisur ta kërkojnë, derisa pas shumë përpjekjesh i janë drejtuar komisariatit të policisë. Kërkimet kanë vazhduar me intensitet nëpër të afërm dhe zona të dyshuara, derisa në tokën e familjes Veis u gjet i pajetë studenti. Sipas familjarëve, i riu, djali i vetëm i familjes, prej 3 vitesh jetonte dhe studionte në Tiranë, ku ka qenë edhe një student me rezultate të kënaqshme. Në asnjë moment, sipas familjarëve, ai nuk ka pasur probleme dhe as shenja të sëmundjeve depresive. Policia ka nisur hetimet për rastin edhe pse nga hetimet e para pista kryesore mbetet ajo e vetëvrasjes në kushtet e një gjendjeje depresive. Burime policore bënë të ditur se në momentin kur është gjetur trupi i pajetë, 22-vjeçari ka pasur me vete edhe një çantë me librat e shkollës, ndërsa konfirmojnë se në trupin e të riut nuk ka pasur shenja dhune, gjë e cila konfirmon pistën e vetëvrasjes. Nga hetimet e para të policisë nuk rezulton që i riu të ketë pasur shqetësime. Ai ishte nxënës shumë i mirë dhe nuk kishte asnjë provim të vjeshtës. Prindërit kanë mohuar të kishin dijeni për ndonjë lidhjeje të 22-vjeçarit, duke u rrëzuar dhe depresioni nga ndonjë ndarje e mundshme e tij. Këtë vit, bashkë me Mariglenin, në Tiranë do të studionte dhe e motra dhe sipas prindërve, ata kishin marrë me qira një apartament në Tiranë për të jetuar gjatë studimeve. Nga ana e policisë pohohet se pas ekzaminimeve të para dhe kryerjes së veprimeve hetimore, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme. Pritet që sot të kryhet ceremonia mortore për studentin e Mjekësisë, duke lënë pas dhe misterin e motivit që e shtyu drejt vetëflijimit.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI











