Korçë, Policia: Dy vëllezërit e plagosur vranë 23-vjeçarin

Oct 19, 2011 | 13:20
Viktima Dorian Kocaqi

KORÇE – Dy vëllezërit e plagosur vranë 23-vjeçarin Dorian Kocaqi, mbrëmjen e së shtunës, në bulevardin e Korçës. Policia konfirmon këtë fakt, por lë të paqartë emrin e personit që plagosi vëllezërit Elton dhe Altin Beluli, 23 dhe 25 vjeç. Ngjarja tronditëse u regjistrua në Lagjen 13 të qytetit të Korçës, ku si pasojë e një sherri për motive banale midis dy grupeve të të rinjve mbeti i vrarë me mjete të mprehta 23-vjeçari dhe u plagosën 2 vëllezërit Beluli. Sipas të dhënave, mësohet se konflikti ka nisur pasi katër të rinj, mes të cilëve edhe viktima, i janë drejtuar dy vëllezërve (të dy me precedentë penalë), me pretendimin se u ishte vjedhur kasetofoni nga këta të fundit dhe u kanë kërkuar që t’u rikthehet. Ky ka qenë për 6 protagonistët e këtij sherri një motiv i mjaftueshëm për t’u konfrontuar dhe për të arritur deri në përdorimin e mjeteve të mprehta. Nga të dhënat, konflikti mes 6 të rinjve ka nisur në ambientet e një lokali lojërash fati në Lagjen 13 të qytetit për një kasetofon makine të vjedhur më parë dhe, më tej, konfrontimi fizik ka përfunduar në rrugë, ku ka ndodhur edhe vrasja me mjete të mprehta. Policia sqaroi se dy vëllezërit Beluli janë konfliktuar me 4 të rinjtë: K.Xh 20 vjeç, N.K. 15 vjeç, I.M 19 vjeç, si dhe Kocaqin. Ndryshe nga ç’është thënë nga hetimet paraprake, në komunikatën zyrtare të Policisë emri i N.Kapuranit, 15-vjeçari i dyshuar si një prej protagonistëve të vrasjes së 23-vjeçarit, rezulton si një prej të rinjve të sulmuar nga dy vëllezërit. Në asnjë moment nga policia nuk sqarohet se si mund të ketë ndodhur plagosja e dy vëllezërve, të akuzuar tashmë si autorët e ngjarjes mizore apo se cilët mund të jenë personat që kanë bërë plagosjen e tyre. Policia ka bllokuar edhe dy thikat me të cilat është kryer krimi, të cilat mendohet të jenë përdorur nga dy vëllezërit për vrasjen e 23-vjeçarit. Për tre djemtë e tjerë, mes të cilëve dhe adoleshenti, Policia nuk sqaron pozicionin e tyre në këtë çështje, ndonëse një ditë më parë bëri shpalljen në kërkim.     dh.d

© Panorama.al

Te lidhura