
Një 15-vjeçar nga Korça u shpall në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e një të riu, vetëm tri ditë pas lënies së qelisë. Adoleshenti N.Kapurani, i cili kreu një plagosje javën që shkoi, mes tyre dhe një polic, akuzohet nga policia se mbrëmë vrau 23-vjeçarin Dorian Kocaqi dhe plagoi dy vëllezër, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar ende. Ai është shpallur në kërkim nga policia e Korçës, pas ngjarjes së ndodhur në bulevardin “Fan Noli”. Shkak u bë përplasja për motive banale mes dy grupeve të rinjsh. Ajo nisi në një prej lokaleve të qytetit, ku dy grupe të rinjsh janë konfliktuar për një kasetofon makine. Sipas të dhënave, të rinjtë kanë qenë duke qëndruar në një prej lokaleve përgjatë bulevardit “Fan Noli”, në Lagjen 13 në qytetin e Korçës, kur dhe kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin, fillimisht me fjalë dhe më tej janë konfrontuar edhe fizikisht. Në grindje e sipër, ata kanë dalë në një prej rrugëve qendrore të qytetit ku janë përleshur me mjete të mprehta. Si pasojë e përplasjes është plagosur rëndë dhe më tej ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal të Korçës 23-vjeçari Dorian Kocaqi, si dhe janë plagosur vëllezërit Elton dhe Altin Beluli, përkatësisht 20 dhe 23 vjeç. Pavarësisht ndihmës mjekësore, Kocaqi nuk ka mundur të mbijetojë, ndërsa dy vëllezërit Beluli gjenden jashtë rrezikut për jetën. Burimet policore bëjnë të ditur se në sherrin e ndodhur janë përfshirë të paktën 6 persona, ndërkohë që është po punohet për identifikimin e tyre. N.Kapurani është identifikuar nga policia si një prej protagonistëve të përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit dhe i plagosjes së 2 vëllezërve. Sipas të dhënave mësohet se 15-vjeçari është një ndër personat e përfshirë në konfliktin e ndodhur pak ditë më parë në një prej pub-eve të Korçës, ku mbeti i plagosur edhe një efektiv i policisë. Vetëm tri ditë më parë ai u lirua nga Gjykata e Korçës, e cila pas kërkesës së prokurorisë dha masën e sigurimit personal “detyrim paraqitjeje”. Pas ngjarjes tronditëse të ndodhur vetëm pak metra në distancë nga Drejtoria e Policisë së Korçës dhe lirisë që i është dhënë pasi prokuroria kërkoi vetëm detyrim paraqitje për 15-vjeçarin, sërish vjen implikimi i radhës në një krim të rëndë. Kapurani është shpallur në kërkim, ndërsa po punohet për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në vrasjen e mbrëmshme.
Plagosja e trefishtë
Dy grupe të rinjsh janë konfliktuar me armë zjarri dhe mjete të forta pas mesnatës të 9 tetorit në ambientet e njërit prej pub-eve në qendër të qytetit të Korçës. Shkak i sherrit ku mbetën të plagosur dy të rinj dhe efektivi i policisë Altin Fishka dyshohet të ketë qenë konsumi i tepërt i alkoolit. Mësohet se ky i fundit ka ndërhyrë për të ndalur sherrin, ndërkohë që Daniel Muhameti, 22 vjeç, A.K, 19 vjeç dhe një 15-vjeçar me inicialet N.K kanë nxjerrë armën e zjarrit dhe kanë qëlluar në drejtim të 3 të rinjve të tjerë.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI











