Korçë, deklarohen si grekë e fotokopjojnë Formularin

Oct 3, 2011 | 12:38
Gjatë regjistrimit të popullsisë

Rrezik manipulimi gjatë procesit të vetëdeklarimit nga qytetarë të Korçës. Një pjesë e familjeve korçare e në disa raste dhe banorët e një lagjeje kanë kërkuar fotokopje të pyetësorit, pasi kanë deklaruar kombësinë greke. Sipas të dhënave, në Korçë shumë familje vetëdeklarohen greke dhe kërkojnë fotokopje të fletës së kombësisë së nënshkruar nga anketuesi. Shpjegimi i përcjellë në lidhje me këtë kërkesë është se këta persona, pasi janë vetëdeklaruar grekë mund t’i drejtohen konsullatës së bashku me fletën e fotokopjuar për t’u favorizuar prej saj në përfitimin e vizave apo dokumenteve të tjera. Në momentin kur kjo kërkesë është refuzuar, është bojkotuar regjistrimi.
Në ditën e dytë të procesit të regjistrimit, Juglindja e vendit mbetet në qendër të vëmendjes për sa i përket çështjes së kombësisë. Pas shpërndarjes së qindra anketuesve në lagje të ndryshme të qytetit të Korçës vjen edhe sinjalizimi për problemet dhe kontestimet e para nga qytetarët. Kreu i INSTAT-it në Korçë, Sami Meçollari, e konfirmon këtë fakt, sipas të cilit për këtë fenomen është vënë në dijeni zyra qendrore në Tiranë.
Nuk dihet ende nëse përfitimet që mund të merren më vonë janë premtim i shoqatave apo organizatave që veprojnë në këtë qytet në mbështetje të helenizmit, por alarmi vjen pasi në jo pak raste, bëhet fjalë edhe për lagje të tëra të prirura drejt një kërkese të tillë. Pavarësisht se kjo fotokopje nuk ka asnjë vlerë si dokument zyrtar, apo se nuk mund të merret si e vlefshme në asnjë institucion, thjesht kërkohet nga një sërë qytetarësh, pasi u është premtuar diçka në këmbim. Sipas informacioneve të përcjella prej vetë anketuesve, shpesh ata kanë ndeshur familje, të cilat u parashtrojnë këtë kërkesë. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për raste sporadike apo familje të shpërndara në lagje të ndryshme të qytetit, por alarmi ngrihet për rastet kur një lagje e tërë vetëdeklarohet greke dhe kërkon fotokopjen e faqes së formularit. Të stisur nga kërkesa e një apo dy familjeve e gjithë lagjja ka arritur deri në refuzim të regjistrimit pasi ka kërkuar fotokopjen ku çdo person është vetëdeklaruar grek. Nisur nga fakti se ky problem është hasur që në ditën e dytë të procesit mësohet se shqetësimi është përcjellë edhe drejt kryeqytetit, pasi sipas drejtuesve të INSTAT-it ky rrezikon të krijojë përhapje masive, duke rrezikuar edhe vijueshmërinë normale të procesit. Ndërkohë që ka edhe nga ata persona që thjesht e refuzojnë deklarimin e kombësisë së tyre apo përkatësinë fetare pa paraqitur asnjë lloj pretendimi, duke lënë të zbrazët dy prej pyetjeve që kanë ngjallur më tepër debat që në krye të herës.
Qyteti i Korçës është lakuar edhe më tepër nga këto debate, sidomos pas thirrjeve nacionaliste të konsullit grek, Teodor Ikonomus. Ky i fundit për disa herë radhazi e ka konsideruar Juglindjen e Shqipërisë, Greqi, duke tentuar të vendosë një shenjë barazimi mes saj dhe shtetit helen. Pas skandaleve mediatike, Ikonomus u është shmangur daljeve publike, duke vazhduar aktivitetin e tij brenda grupimeve me vllehtë apo organizatat në mbështetje të tij. Aspiratat e Ikonomus për helenizim të Juglindjes duket se kanë gjetur një mbështetje të gjerë, pasi burime të rezervuar brenda konsullatës konfirmojnë mundësinë e një mandati të dytë të Ikonomus në krye të Konsullatës Greke në Korçë. Sipas tyre, përveç se do të jetë në krye të konsullatës gjatë procesit të regjistrimit, gjasat më të mëdha janë për një qëndrim 2-vjeçar të Ikonomus, si rezultat i vlerësimit për punën e tij në Korçë.

Censusi, Idrizi: Frenuan orekset shoviniste për minoritete false
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi dje se forca që ai përfaqëson do të monitorojë rreptësisht regjistrimin e popullsisë, në mënyrë që të mos ketë asnjë mundësi abuzimi me të dhënat. “Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, si forca e parë që më shumë se prej dy vjetësh është shprehur kundër, sot deklaron publikisht: se do të bëhet garant e amendamenteve të saj të kaluara në Kuvend. Këto amendamente janë i vetmi mjet që të gjithë ne kemi në dorë për të ndalur abuzimin me regjistrimin e popullsisë. Në bazë të tyre, për çdokënd që do deklarojë kombësi të rreme, INSTAT është i detyruar ta vërtetojë vetëdeklarimin e lirë me të dhënat zyrtare që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Sipas tij, ndryshimet e propozuara në Parlament nga forca politike që ai drejton, frenuan abuzimin me minoritetet. “Ndërkohë, ne besojmë se amendamentet e PDIU mundësojnë që procesi i censusit ta bëjë vetëdeklarimin e përkatësisë etnike në përputhje me nenin 12 të ligjit për censusin, i cili thotë:
Të gjithë shtetasit janë të detyruar të japin informacion; Në mënyrë të plotë; Në mënyrë të saktë dhe të besueshme. PDIU, si forca e parë që prej me shumë se dy vjetësh është shprehur kundër, sot deklaron publikisht se do të bëhet garant e amendamenteve të saj të kaluara në Kuvend. Këto amendamente janë i vetmi mjet që të gjithë kemi në dorë për të ndaluar abuzimin me regjistrimin e popullsisë”, u shpreh Idrizi. Duke u shprehur se këtë regjistrim e kanë bojkotuar disa organizata minoritare, por edhe PBDNJ, OMONIA, Idrizi tha se kjo gjë ndodhi se ata e bojkotuan këtë proces, se nuk kishin shumë mundësi për të manipuluar. “Nëpërmjet kësaj tërheqjeje u zvogëluan shumë mundësitë, që nëpërmjet procesit të censusit të krijohen hapësira për rivendikime minoritetesh të rreme nga fqinjët”, u shpreh ai.

Gjirokastër, minoriteti firmos për regjistrimin e popullsisë
GJIROKASTER – Starton procesi i censusit edhe në rrethin e Gjirokastrës, ku qytetarët në ditën e dytë të tij i janë bashkuar kësaj iniciative, dhjetë vjet pas regjistrimit të fundit. Sipas drejtueses së Zyrës Rajonale të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave në rrethin e Gjirokastrës, Vjollca Kale, procesi i regjistrimit, nisur dy ditë më parë, ka startuar i mbarë dhe pa probleme, megjithatë, ajo precizon se ende është herët të flitet për rezultate paraprake apo përfundimtare të censusit. “Sidoqoftë, përgatitja e anketuesve dhe testet e realizuara me ta sigurojnë një mbarëvajtje të procesit në vazhdimësi”, shprehet për gazetën “Panorama” Kale. Përgjegjësi i censusit të popullsisë në zonën minoritare ku jeton komuniteti etnik grek në rrethin e Gjirokastrës, Jorgo Masho, thotë se në të tre komunat ku është shtrirë gjerësisht popullsia minoritare greke, procesi i regjistrimit ka nisur në kohën e duhur, përveçse në komunën e Dropullit të Sipërm, ku procesi startoi me disa orë vonesë. Sipas Mashos, shkak duket se ka qenë largësia e fshatrave të njërit prej intervistuesve megjithatë, kjo çështje do të zgjidhet. Masho pranon për gazetën “Panorama” se të gjithë të intervistuarit vijnë nga zonat e minoritetit etnik grek në rrethin e Gjirokastrës. Anthulla Guxo, banore e fshatit Dervician, kryeqendra e grekëve të Shqipërisë së Jugut, pohon se nuk kishte  asnjë vështirësi në plotësimin e pyetësorit, duke deklaruar e lirë ato që iu kërkuan, përfshirë këtu edhe pyetjet për kombësinë dhe përkatësinë fetare. Në regjistrimin e fundit të realizuar dhjetë vjet më parë, komuniteti etnik grek, bojkotoi regjistrimin, ndërsa hapat e para të censusit të tashëm nuk vërtetojnë bojkot prej kësaj popullsie.                p.n

INSTAT: Qytetarët shqiptarë hapën dyert
Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, falënderoi dje të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë hapur dyert për anketuesit e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Sipas saj, në ditën e dytë ky proces ka ecur normalisht. “Deri tani puna është kryer me shumë profesionalizëm. Qytetarët shqiptarë u kanë hapur dyert anketuesve dhe procesi po shkon shumë mirë. Për këtë proces, INSTAT-i ka printuar rreth 40 milionë faqe materialesh, janë në terren 12 mijë anketues, 2500 kontrollorë dhe një numër i madh mbikëqyrësish. Janë hapur 374 zyra, të cilat funksionojnë në çdo cep të Shqipërisë dhe punojnë në çdo orë e minutë për të kryer me sukses këtë proces”, tha ajo.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura