
KORÇE – Gjykata e Apelit ul dënimin për nënën që mbyti me duar foshnjën 18-muajshe. 24-vjeçarja Sonila Lumi, nga fshati Zëmblak i Korçës, u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 12 vjet burg për vrasjen e djalit të saj Kristiano Hoxhalli, vetëm pse ajo nuk duroi dot të qarën e tij. Pas vendimit të Shkallës së Parë, ajo apeloi për lehtësimin e dënimit të saj, nga ku arriti të ndryshojë cilësimin juridik të veprës penale. Në seancën e zhvilluar dje, gjykata vendosi t’i ulë 2 vite nga masa e dënimit, duke i dhënë gjithsej 10 vite burg. Kjo për shkak të ndryshimit të veprës penale, nga vrasje në rrethana të tjera cilësuese në keqtrajtim i të miturve me pasojë vdekjen. Sipas të dhënave dhe konkluzioneve të paraqitura nga prokuroria, 24-vjeçarja fillimisht e kishte rrahur fëmijën dhe më pas e kishte mbytur atë, duke e shtrënguar në pjesën e fytit. Në këtë pjesë të dytë për gjykimin e krimit, avokati mbrojtës kërkoi gjykimin e Lumit si person me probleme mendore, ndërsa e ka konsideruar kryerjen e krimit pasojë të neglizhencës. Prokuroria ka risjellë para gjykatës përshkrimin e plotë të ngjarjes, ku fëmija ka qenë duke luajtur në oborrin e banesës së tij. Foshnja ka bërë teshat e tij pis dhe ka nisur të qajë, ndërsa nëna e re është acaruar nga të qarat e tij dhe ka nisur ta godasë me grushte në gjoks, si dhe t’i zërë hundën dhe gojën në tentativë për ta pushuar. Djali vetëm 18-muajsh ka nisur të qajë edhe më tepër pasi është goditur dhunshëm nga nëna e tij dhe kjo e fundit i ka vendosur duart në fyt, duke e shtrënguar derisa i shkaktoi vdekjen. Sipas Prokurorisë, fëmija ka pasur gjakderdhje nga goja dhe hundët si pasojë e dhunës. dh.d











