Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që bëjnë pjesë në Komitetin e Mbikëqyrjes publikuan të mërkurën foto dhe video nga ishulli privat në Karaibe që i përkiste Jeffrey Epstein. Materiali hedh dritë mbi vendin që dikur ishte qendra e abuzimit ndaj vajzave dhe grave nga krimineli seksual i dënuar.
Shumë video tregojnë ambientet e një shtëpie që duket si resort luksoz, me pishinë, palma dhe një shteg me pamje nga oqeani. Një foto duket të shfaqë një zyrë me një tabelë të zezë, ku janë shkruar fjalë si: “fuqi”, “mashtrim”, “e vërtetë”, “muzikë” dhe “politikë”.
Foto të tjera tregojnë ambiente të ndryshme, si dhoma gjumi, banjo, si dhe një ambient me një mobilie që ngjan me karrige dentare. Shfaqet gjithashtu një telefon me emra të regjistruar në shërbimin e shpejtë, si Darren, Rich, Mike, Patrick dhe Larry.
Sipas CNN, ky material publikohet për herë të parë dhe të gjitha imazhet dhe videot janë nga ishulli Little St. James në Ishujt Virgjër Amerikanë.
Publikimi i këtyre materialeve vjen menjëherë pas nënshkrimit të një ligji nga Donald Trump, i cili detyron Departamentin e Drejtësisë të bëjë publike dokumentet që lidhen me Epstein. Publikimi i ashtuquajturave “dosje Epstein” pritet me interes të madh dhe mund të ndodhë gjatë ditëve në vijim.
Robert Garcia, ligjvënës demokrat në Komitetin e Mbikëqyrjes, deklaroi se këto imazhe dhe video japin një pamje shqetësuese të botës së Epstein dhe ishullit të tij, duke theksuar nevojën për transparencë të plotë në hetimin e vazhdueshëm për krimet e tij.
“Publikojmë këto foto dhe video për të siguruar transparencë në hetimin tonë dhe për të ndihmuar në krijimin e një pamjeje të plotë të krimeve të tmerrshme të tij”, theksoi ai.
Ishulli Little St. James, që i përkiste Epstein, është në qendër të hetimeve të autoriteteve, të cilat po studiojnë aktivitetet kriminale të tij.
© Panorama.al





















