
Grupi hetimor i ngritur për vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, po vepron njëherësh në tri qytete. Anëtarë të grupit të hetimit, kryesisht nga Policia e Shtetit janë vendosur në qytetin e Vlorës ku banonte gjyqtari Skerdilajd Konomi, i vrarë me bombë të telekomanduar në qendër të qytetit, më 9 shtator 2011. Pjesa tjetër e grupit hetimor kryen veprime në Tiranë, ndërsa grupi i tretë i hetuesve është duke kryer veprime në qytetin e Durrësit, ku Konomi ka pasur disa gjyqe pronash për tokat e trashëguara prej tij në bregdetin e Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit. Burime nga Prokuroria kanë thënë dje se numri i personave të marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen i ka kaluar 80, ndërsa ende nuk ka një të dyshuar konkret për autorësinë e krimit. Mes personave të pyetur në Vlorë dhe në Tiranë, janë familjarët dhe të afërmit e gjyqtarit, që kanë pohuar se shkak i vetëm i ngjarjes mund të ketë qenë konflikti i pronësisë. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe kolegë të gjyqtarit në Gjykatën e Vlorës, të cilët kanë thënë se nuk ishin në dijeni të konflikteve apo problemeve të gjyqtarit në lidhje me detyrën apo me çështjet e pronësisë. Pista kryesore e Prokurorisë mbetet vrasja për konfliktin e pronësisë në lidhje me 275 hektarë tokë në bregdetin e Durrësit. Që nga viti 2007, Skerdilajd Konomi ishte në proces gjyqësor, me pretendimin se ishte trashëgimtar i truallit në fjalë. Një palë tjetër në proces kishte pretenduar për pavlefshmëri të aktit të trashëgimisë së familjes Konomi dhe ka hapur gjyq për pronën në fjalë, ndërsa Agjencia e Pronave, e cila ia dha pronën Konomit në vitin 2007, e anuloi më pas këtë vendim. Çështja u duk sikur mori fund në qershor 2011, kur Gjykata e Lartë i dha të drejtë magjistratit banues në Vlorë, mirëpo një padi tjetër nga pala në konflikt u bë pengesë për regjistrimin e pronës sipas vendimit që ishte dhënë në Gjykatën e Lartë. tr.so
Nishani: Ngjarja zbardhet nëse vlerësohen provat
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në televizionin “News 24”, deklaroi mbrëmë se në rast se grupi hetimor do të vlerësojë siç duhet provat që i janë vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit, vrasja e ish-gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, mund të zbardhet. “Nisur edhe nga deklaratat e familjarëve të Skerdilajd Konomit, është orientuar pista për konflikt pronësie. Kemi të bëjmë me një krim të organizuar, por hetimet po kryhen nga prokuroria dhe ne nuk kemi akses në këtë hetim. Mund të them vetëm kaq, që Policia e Shtetit ka gjetur në vendin e ngjarjes prova mjaft të rëndësishme, të cilat i janë vënë në dispozicion grupit hetimor. Dhe, në rast se këto prova vlerësohen siç duhet, si dhe në rast se ekziston vullneti dhe dëshira, që për mua ekzistojnë, ngjarja mund të zbardhet”, u shpreh ministri Nishani. Gjithashtu, Nishani deklaroi se për një ngjarje të tillë, si vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, më 9 shtator në mes të Vlorës, mund të dihet edhe autori, por ai nuk mund të kapet pa siguruar provat e nevojshme.











