“Konomi”, sot gjyqi për 175 hektarë tokë në Durrës

Oct 3, 2011 | 13:18
Gjyqtari i Vlorës Skerdilajd Konomi

Familja e ish-gjyqtarit të Vlorës, Skedilajd Konomi, përballet sot në Gjykatën e Tiranës me palën kundërshtare në konfliktin e pronësisë të mbi 175 hektarëve tokë në fshatin turistik të Hamallajt në Durrës. Sipas një deklarate të familjes Konomi pak ditë më parë, ditën e sotme në Gjykatë pritet të mbahet seanca e radhës e gjyqit i cili, me kërkesë të palës tjetër në konflikt, ka ndaluar hipotekimin e pronës në emër të familjes Konomi, duke ngrirë kështu edhe vendimin e Gjykatës së Lartë, të datës 16 qershor 2011, që i ka dhënë ish-gjyqtarit Konomi të drejtën e pronësisë. Pas fitimit të gjyqit në Gjykatën e Lartë në qershor, gjyqtari Konomi ka qenë duke pritur zbardhjen e vendimit me të cilin do të regjistronte më pas pronën në Hipotekë. Por, ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë ende nuk ishte zbardhur, palët e tjera pretenduese të pronës bënë padi në Gjykatën e Tiranës, më 13 gusht 2011, dhe Gjykata ua pranoi kërkesën që me pronën në Hamallaj të Durrësit të mos kryhej asnjë veprim. Në këtë mënyrë, Gjykata e Tiranës ndaloi zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, edhe pse ai u zbardh vetëm disa ditë pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen më 9 shtator në Vlorë.
Historia e re e pronave
Vetëm një jurist i mirë mund të përqendrohet dhe të kuptojë ecurinë e konfliktit të pronësisë për tokën e pretenduar nga Skerdilajd Konomi në bregdetin e Durrësit. Megjithatë, në kronologji, i gjithë subjekti mund të ndahet në dy pjesë, historia e re, që nis me 2007, pas një vendimi të Komisionit të Kthimit të Pronave Durrës dhe vazhdon deri në qershor 2011, në Gjykatën e Lartë. Kështu, pasi Komisioni i Pronave Durrës ia dha tokën pretendentëve për trashëgimtarë, Agjencia Qendrore e Pronave verifikoi praktikën dhe më pas anuloi vendimin. Për këtë, pala e prekur bëri padi në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, e cila më 5 tetor 2009 u dha të drejtë familjes Konomi dhe trashë-gimtarëve të tjerë dhe ua ktheu atyre pronën në fjalë, duke bërë kthim fizik për një pjesë dhe kompensim për pjesën tjetër. Pala kundërshtare në këtë proces kundërshtoi vendimin me anë të ankimit në Apel. Gjykata e Apelit Durrësit, më 14 maj 2010, hodhi poshtë aktin e trashëgimisë dhe anuloi dhënien e tokës për Konomët dhe pretendentët e tjerë që ishin: Ana Mitro (Veveçka), Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima. Kjo palë e kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës në Gjykatën e Lartë, e cila pasi shqyrtoi çështjen, vendosi të linte në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata Durrës, duke njohur si trashëgimtarë e pronarë familjen Konomi dhe të tjerët. Vendimi i Gjykatës së Lartë u shpall më 16 qershor 2011, mirëpo mbeti i pazabrdhur. Dhe zbardhja e vendimit vonoi që nga muaji qershor 2011, deri në shtator të këtij viti, plot 3 muaj, për t’u bërë publik vetëm një javë pasi Skerdilajd Konomi kishte gjetur vdekjen në qytetin e Vlorës më 9 shtator. Ndërkohë, më 13 gusht, para zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, pala kundërshtare kishte kërkuar nga Gjykata e Tiranës ngrirjen e pronës dhe të çdo procedure, kërkesë e cila ishte miratuar.

Padia në Tiranë për 275 hektarët e pretenduar nga familja Konomi
Konflikti i pronësisë për tokën në bregdetin e Durrësit është pista kryesore që po heton Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me vrasjen e Skerdilajd Konomit. Prej më se 5 vjetësh, gjyqtari ndodhej në një betejë ligjore me palën kundërshtare për fitimin e pronësisë mbi tokën në zonën turistike të Durrësit. Kur gjyqet kishin mbaruar dhe pritej zbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë, kur ky vendim po vononte, më 9 shtator Skerdilajd Konomi u vra me bombë në makinë, teksa shkonte në punë. Ai la të hapur një tjetër gjyq, pasi më 11 korrik 2011, në Gjykatën e Tiranës është dorëzuar një padi në lidhje me tokat në bregdet, për të cilat Gjykata e Lartë i dha të drejtën e pronësisë familjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Sipas dispozitivit, paditësit në Gjykatën e Tiranës ishin: Abas Hamzaraj, Alma Struga (Toptani), Azmi Toptani, Bihter Toptani, Jasemin Kosha (Mullaj), Jusuf Hamzaraj,  Merjeme Toptani, Mimoza Jero(Toptani), Rezar Mullaj. Palë e paditur ishte Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërkohë, objekti i padisë ishte detyrimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë për nxjerrjen e vendimit për njohjen e së drejtës së pronësisë prej 275ha, të ndodhur në Hamallaj, Bashkia Sukth, në zonën kadastrale 1925 dhe 3241, me kufij: Veri – me Vijën e Mullirit te Ali bej Qorraliut e vëllezër; Jug-Pyllin e Rrushkullit të shoqërisë anonime “E.I.A.A.”. Konomi ka pohuar në gjyq se konfiskimi i pronës nga kompania “E.I.A.A” nuk mund të përdoret si argument, pasi në fakt prona ka qenë e trashëgimtares dhe kontrata e enfiteozës ka qenë për përdorimin e tokës me qira për 99 vjet dhe nuk përbënte transferim apo kalim pronësie. Në këtë mënyrë, aty lind e drejta e kthimit apo kompensimit, pasi toka i është sekuestruar qytetarit dhe jo kompanisë italiane.

Konflikti për pronën nga testamenti i Shallvarit
TIRANE- Gjykata e Lartë, më 16 qershor 2011, ka deklaruar se trashëgimlënësi Miltiadh Shallvari ka vdekur më 17.05.1933. Në vitin 1940, kjo pronë është transkriptuar në favor të Znj. Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, sipas një testamenti të lënë para vdekjes nga trashëgimlënësi Miltiadh Shallvari, më 8 maj 1929. Në vitin 1940 është regjistruar heqja dorë (renoncimi) i Edita Shallvarit, e bija e trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari, vëllai i trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari nga çdo lloj e drejtë që mund t’u takojë për efekt trashëgimie mbi pronat Rrushkull dhe Çifliku i Ri, në favor të Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Më 27 prill 1940, është regjistruar në Regjistrat e Pasurive të Paluajtshme Durrës një kontratë enfiteozë kundër Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, në favor të shoqërisë italiane “E.I.A.A”. Ndërkohë, në datën 29.05.1946, prona në fjalë është konfiskuar në favor të shtetit shqiptar, edhe pse ishte në përdorim nga shoqëria italiane “E.I.A.A.”. Prona me kufizimet: Veri – Ali Bej Qorralliu, Fuat Bej Toptani, Zija Bej Toptani; Perëndim- Deti; Jug – lumi Erzen dhe Lindje – Qanie Hanemi, Fuat Bej Toptani, ka qenë në emër të Sllava Maria Ljubicës, dhe ishte marrë në enfiteozë (qira 99-vjeçare) nga shoqëria italiane. Kjo pronë kaloi në favor të shtetit shqiptar, si pronë e konfiskuar në zbatim të ligjit Nr.36, datë 14.01.1945. Konflikti lindi lidhur me testamentin dhe disponimin e bërë nga i ndjeri Miltiadh Shallvari, trashëgimlënës i shtetasve Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqi Goxhomani dhe Ariadhni Konomi. Ata e kanë kundërshtuar testamentin dhe disponimin e bërë nga Miltiadh Shallvari në favor të ish- bashkëshortes së tij Sllava Maria Ljubica Lampo. Trashëgimtarët kanë ngritur padi në Gjykatën e Paqit Durrës që në vitin 1934, gjykim i cili ka vazhduar e përfunduar me vendimin Nr.52, datë 02.03.1946. Me vendimin gjyqësor Nr.52, datë 02.03.1946, i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit i formuar me Kolegj Arbitrar, Evdhoqi Goxhomani dhe Ariadhni Konomi, janë njohur bashkëpronar mbi pronën “Çifliku Rushkull dhe Çifliku i Ri”, së bashku me ish-bashkëshorten e të ndjerit Miltiadh Shallvari, duke u përcaktuar edhe pjesët përkatëse të secilit bashkëpronar. Në pjesën arsyetuese të vendimit rezulton se prona nuk ka qenë e Miltiadh Shallvarit, por e të atit të tij, z. Kostandin Shallvari. Gjithashtu, rezulton se testamenti në favor të bashkëshortes Sllava Maria Ljubica, është i pavlefshëm dhe pa pasoja juridike.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura