Konomi, bashkohen paditë për pronat

Oct 25, 2011 | 13:58
Gjyqtari i vrarë: Skerdilajd Konomi

Gjykata e Tiranës “bashkoi” në një të vetme dy padi civile të veçanta të familjes Toptani, në lidhje me pretendimet e tyre për pronësinë e 275 hektarëve truall në Hamallaj të Durrësit, pronë që pretendohej nga gjyqtari i vrarë i Vlorës, Skerdilajd Konomi. Trualli i pretenduar nga familjet Toptani, Mullaj dhe Hamzaraj ndodhen në të njëjtën zonë kadastrale ku Gjykata e Lartë i njohu pronësinë familjes së gjyqtarit të Vlorës Skerdilaid Konomi, i cili u vra me një shpërthim të telekomanduar më 9 shtator. Dje, gjyqtarja Fatmira Hajdari, pranoi kërkesën e avokatit të familjeve Toptani, Mullaj e Hamzaraj për bashkimin e padisë së regjistruar prej tyre më 2 shtator 2011 me padinë e regjistruar po prej tyre më 11 korrik 2011, e cila po shqyrtohet nga gjyqtari Arjan Aliaj. Avokati kërkoi bashkimin e kërkesëpadisë me argumentimin se paditësit ishin të njëjtë dhe se objekti i gjykimit ishte po i njëjtë. Objekti i padisë së korrikut 2011 ishte “detyrimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë për nxjerrjen e vendimit për njohjen e së drejtës së pronësisë prej 275 hektarësh, të ndodhur në Hamallaj, bashkia Sukth, në zonat kadastrale 1925 dhe 3241”. Në padinë që shqyrtohej nga gjyqtarja Hajdari, në objekt kjo sipërfaqe paraqitej e ndarë në 9 parcela.
Hetimi për pronat
Konflikti i pronësisë për trojet në bregdet është pista kryesore e hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për atentatin mafioz që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ai ishte përfshirë në një betejë gjyqësore që nga viti 2007, kur Komisioni i Kthimit të Pronave në Durrës ia njohu pronën, por më pas, zyra qendrore në Tiranë e anuloi vendimin. Çështja shkoi në Gjykatën e Durrësit, ku Konomi fitoi gjyqin, por humbi në Apel. Procesi vazhdoi gjatë, derisa më 14 qershor 2011, Gjykata e Lartë në Tiranë i dha të drejtë Skerdilajd Konomit. Ndërkohë që pritej zbardhja e këtij vendimi të gjykatës së Lartë, pala kundërshtare në proces bëri një padi në Gjykatën e Tiranës dhe fitoi një urdhër, i cili ndalonte hipotekimin e pronës së fituar nga Konomi në bregdetin e Durrësit. Tanimë çështja është hapur nga e para në Gjykatën e Tiranës, ku pala kundërshtare kërkon njohjen e pronësisë së saj mbi truallin. Prokuroria ka verifikuar gjithë pretendentët për pronarë të tokës, mirëpo dosja ka mbetur pa autor. Hetimet janë duke vazhduar megjithatë në Vlorë, në Durrës dhe në Tiranë. Grupi i hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar çështjet e pronësisë në Vlorë dhe në Durrës, përfshi proceset gjyqësore, veprimet në hipoteka etj. Pak javë më parë, në një letër publike të drejtuar Presidentit, familjarët e Skerdilajd Konomit akuzuan se konflikti i pronësisë dhe procesi gjyqësor i hapur për tokat në bregdet ishin shkaku i vrasjes.

275 hektare
është sipërfaqja e pronës, e cila është bërë objekt i konfliktit gjyqësor mes familjes Konomi dhe palëve të tjera pretenduese për këtë sipërfaqe

200 milione
euro është vlerësuar privatisht sipërfaqja e tokës për të cilën zhvillohet konflikti gjyqësor ku ishte i përfshirë edhe gjyqtari i Vlorës, Konomi

© Panorama.al

Te lidhura