Kongresi i PS, PD, qytetarëve: Mos u mashtroni

Nov 4, 2011 | 17:39
Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj

Një ditë para mbajtjes së Kongresit të Partisë Socialiste, Partia Demokratike në një deklaratë për shtyp ftoi qytetarët të mos mashtrohen nga ajo që do të dëgjojnë nesër gjatë punimeve të Kongresit.

Duke e quajtur këtë Kongres, si të bojkotuarin nga baza dhe kongresi i delegatëve të zgjedhur me gisht nga, Edi Rama, PD vlerëson se kjo është disfata më e madhe e 20 viteve të fundit të ekzistencës politike së PS-së.

Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj tha se, Kongresi kërkon të heqë vëmendjen nga dështimi i kreut socialist, Edi Rama në zgjedhjet e 8 majit.

“Ky kongres kërkon të heqë vëmendjen nga z. Rama dhe blokmenët e rinj që e futën PS-në në kuti të votimit për të mbrojtur karrigen e kryetarit të tyre, nga historia izoluese e PS-së, nga përpjekjet e tyre për të bllokuar lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në Europë, nga bojkoti që PS i ka bërë Parlamentit për vite me rradhë dhe veprimet e tyre për të bllokuar integrimin dhe progresin e Shqipërisë”- thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas PD-së ajo çfarë shqiptarët duan të dëgjojnë janë arsyet se pse PS-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të vetëm konkret e të mundshëm që të përmirësojë jetën e qytetarëve: të votojë ligjet e pakundërshtueshme që kërkojnë 3/5, gjë që sipas selisë blu nesër nuk do të ndodhë, pasi do të flitet për programin e humbjes së ardhshme të PS-së.

© Panorama.al

Te lidhura