Teksa protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë të marrin mbështetje gjithnjë e më të gjerë, kryeministri Edi Rama duket se po zgjeron listën e “fajtorëve” që, sipas tij, qëndrojnë pas revoltës së qytetarëve.
Fillimisht, kreu i qeverisë hodhi dyshime mbi mediat greke dhe interesat që, sipas tij, po përpiqen të instrumentalizojnë kundërshtimin ndaj investimit në Zvërnec. Në deklaratat e tij, Rama u shpreh i habitur nga jehona që protesta mori në Greqi, duke lënë të kuptohet se pas mbështetjes mediatike mund të fshihen interesa të tjera.
Më herët, përfaqësues të qeverisë dhe eksponentë pranë saj kanë përmendur edhe ndikime të tjera të huaja, përfshirë ato serbe, si faktorë që synojnë të pengojnë projekte strategjike dhe investime të mëdha në Shqipëri.
Së fundmi, në narrativën e re politike janë përfshirë edhe iranianët, të cilët sipas deklaratave të kampit qeveritar po përdoren si një tjetër argument për të shpjeguar organizimin dhe përshkallëzimin e protestave.
Ndërkohë, protestuesit dhe aktivistët e shoqërisë civile këmbëngulin se kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec është një lëvizje qytetare e lindur nga shqetësimet për mjedisin, transparencën dhe të ardhmen e një prej zonave më të ndjeshme natyrore të vendit. Ata refuzojnë akuzat për ndikime të huaja, duke i cilësuar ato si përpjekje për të delegjitimuar kauzën e tyre.
Ndërsa protestat vazhdojnë të mbushin sheshet dhe të tërheqin vëmendjen e opinionit publik, debati duket se po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga thelbi i kundërshtimit qytetar drejt identifikimit të “armiqve” të rinj, që sipas qeverisë qëndrojnë pas tij. Nga mediat greke, te influencat serbe e deri te iranianët, lista e përgjegjësve të supozuar për protestat kundër qeverisë duket se po zgjerohet dita-ditës.
© Panorama.al












