Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, mbajti sot një fjalim përmes një video lidhjeje në konferencën për 100 vjetorin e Bankës së Shqipërisë.
Lagarde tha se Banka Qendrore Evropiane mbështet bankat qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Duke u ndalur te vendi ynë Lagard tha se Banka e Shqipërisë ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në 100 vitet e para të saj, teksa theksoi se ky shekull është mundësi reale për të reflektuar mbi të kaluarën e Bankës Qendrore dhe të ardhmen e vendit.
Sakaq ajo nënvizoi se është thelbësore që Shqipëria të mbajë një angazhim të palëkundur drejt politikave monetare.
Christine Lagard: Banka e Shqipërisë ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në 100 vitet e para të saj. Ky shekull është mundësi reale për të reflektuar mbi të kaluarën e Bankës Qendrore dhe të ardhmen e vendit.
Ngjarjet e rëndësishme të shekullit 20 nga luftërat botërore deri në vendosjen e komunizmit në lindje të gjithë përfshijnë Shqipërinë dhe institucionet e saj.
Në fillim të viteve 90’ me tranzicionin drejt demokracisë, inflacioni u rrit shumë shpejt duke tejkaluar 200% në vitin 1992.
Banka Qendrore u përball me një nga sfidat e saj më të mëdha, rivendosja e stabilitetit monetar dhe eci para duke e përballur drejt për drejt atë sfide, duke rritur normat e interesit dhe për ti sjellë normat reale në territor pozitiv me qëllim uljen e inflacionit. Pavarësisht krizave globale, Shqipëria doli më e fortë nga këto sfida falë veprimeve të Bankës Qendrore për të ruajtur stabilitetin financiar ndër vite.
Më tej Lagard tha se Shqipëria është përballur me sfida edhe vitet e fundit, por Shqipëria ka dalë e fortë prej tyre edhe falë veprimeve të Bankës.
Lagard: Shqipëria përjetoi goditje gjatë kësaj periudhe. Kriza financiare globale i la bankat e mëdha me kapital të huaj në vend me një nivel të lartë të kredive me probleme. Pavarësisht kësaj, Shqipëria doli më e fortë nga këto sfida pjesërisht falë veprimeve të bankës qendrore, për të ruajtur stabilitetin financiar ndër vite. Ajo miratoi rregulloret për shtesat e kapitalit, për raportimin e mbulimit me likuiditet. Gjithashtu në fillim të këtij viti ka nisur zbatimi i masave makroprodenciale për të kontrolluar rreziqet e mundshme që mund të vijë nga tregu i banesave.
© Panorama.al












