Konferenca Kombëtare për Arsimin e Lartë, Rama: Inteligjenca artificiale domosdoshmëri dhe mundësi e jashtëzakonshme për universitetet!

Feb 18, 2025 | 12:21

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu morën pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Arsimit të Lartë si edhe në prezantimin e Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030, me vizionin për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se arsimi i lartë sot është zhvilluar dhe përmirësuar në krahasim me 10 vite më parë, ndërsa foli për domosdoshmërinë e vendosjes së Inteligjencës Artificiale në Universitetet e Shqipërisë.

Kryeministri Rama u ndal gjithashtu te evoluimi dhe rritja e cilësisë te Universitetit Bujqësor.

Rama tha se deri në vitit 2030 diplomat e Bujqësorit do të jenë të barazvlefshme me diplomat e Universitetit të Bokut në Vienë.

Rama: Ky dokument politikash nuk është kërkim shkencor por në fakt është ekzaktësisht gjëja që ne duhet të presim dhe nga kërkimi shkencor, kontributi i brendshëm në funksion të një transformimi të mëtejshëm të një sektori strategjik siç është arsimi.

Atëherë, çfarë na pengon dhe çfarë e pengon universitetin që të njëjtën gjë të ndihmojë edhe për sektorë të tjerë, qoftë në makro e qoftë dhe në mikro për gjëra të veçanta?

Besoj që është plotësisht e mundur dhe besoj që kjo do ta gjallëronte shumë edhe trupën universitare, do ta motivonte shumë sepse patjetër që do të vinte me një shpërblim ekstra financiar për punën, do të afronte shumë universitetin me realitetin dhe universiteti me realitetin, institucionet e tjera dhe patjetër do të krijonte perspektiva të tjera për studentët. Besoj që në këtë pikë duhet të gjithë së bashku të bëjmë më shumë.

Kemi parë disa zhvillime shumë pozitive në këtë drejtim, por duhet të vrapojmë për të rritur volumin dhe për ta kthyer këtë në një marrëdhënie konsistente, të vazhdueshme, të pandërprerë mes qeverisë, universitetit dhe tregut.

Në qoftë se kjo nuk merr një formë definitive dhe në qoftë se tregu, nevojat e tregut dhe kur them tregu, flas jo thjesht për tregun privat në sensin e tregut jashtë jetës institucionale, por flas dhe për aktorët institucionalë si pjesë e një tregu të cilin universiteti duhet ta shohë si tregun e vet, në këtë kuptim, është e domosdoshme.

Një nga zhvillimet më të bukura që ne po përjetojmë është zhvillimi në Universitetin Bujqësor. Universiteti Bujqësor dukej si një realitet i destinuar të mbetej realiteti i provincës së botës universitare shqiptare, si një realitet i destinuar që të mbetej si një lloj kampi refugjatësh që nuk arrinin dot të aksesonin botën universitare për shkak të nivelit shumë të ulët dhe mblidheshin tek Universiteti Bujqësor me 5. Falë kurajës dhe falë angazhimit të rektorit dhe ekipit atje, ne arritëm, së bashku, që ta fusim Universitetin Bujqësor në një trajektore komplet tjetër duke praktikisht, e bërë vendin ku po ndërtohet një realitet i ri akademik përmes partneritetit me Universitetin Boku të Vjenës dhe me ambicien që deri në 2030, diplomat e Universitetit Bujqësor në Tiranë të jenë diplomat e Boku-t në Vjenë dhe anasjelltas.

Pra, me ambicien që në Universitetin Bujqësor të Tiranës, studentë nga Shqipëria, rajoni dhe nga Europa të vijnë për të marrë diplomën e Boku-t të Vjenës dhe është plotësisht e realizueshme, është plotësisht në rrugën e ndërtimit dhe këtë nuk e them unë, e thonë partnerët austriakë.

Në këtë drejtim duhet të ecë dhe Universiteti i Shkodrës. Unë kam shumë shpresë që një lojtar i blerë nga universitet publike, i cili tani luan me fanellën e Universitetit publik të Shkodrës, Tonin Gjuraj, një produkt i Partisë Demokratike dhe Universitetit Europian të Tiranës, se shkojnë të dyja bashkë këto. Universiteti Europian i Tiranës është vendi ku shpëtohen ata që prodhohen nga Partia Demokratike dhe kthehen në asete kombëtare. Shpresoj që do të ndodhë e njëjta gjë në Universitetin e Shkodrës dhe në fund, për ta mbyllur dhe për të mos u zgjatur se di që keni dhe panele të tjera dhe panelet e tjera e pashë me kënaqësi që ishin mikse, pra ishin edhe nga universitetet publike dhe nga ato, siç i quani ju, jo publike, dua ta mbyll duke thënë që një fokus i veçantë i duhet dhënë në të gjitha universitetet Inteligjencës Artificiale.

Është një domosdoshmëri, por është dhe një oportunitet i jashtëzakonshëm për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse nuk ka fare rëndësi, zero, se ku je, në cilën pikë të globit je, mjafton që të përputhen kushtet minimale që ti krijon, të dhënat që ti vë në dispozicion dhe një talent që mund të gjendet ndër aty në 10, 15, 20, 30 të rinj, që ti i vë në punë që të ndodhi diçka e jashtëzakonshme që pastaj mund të përdoret, jo vetëm nga ty, por nga e gjithë bota. Po përtej botës, besoj që çdo universitet duhet ta krijoje menjëherë atë laboratorin e vet modest, nuk ka rendësi, nuk duhet asgjë e jashtëzakonshme në fazën e parë dhe çdo pedagog duhet të ketë mundësi të trokasë në derën e atij laboratori ku do të jenë të ulur 5-6 të rinj që janë të përkushtuar ndaj kësaj fushe për të ndarë me ta çfarëdo lloj ideje se si mund të vihet në shfrytëzim inteligjenca artificiale për atë fushë, për atë temë apo për atë subjekt që pedagogu ka.

Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030 u prezantua sot në një event të dedikuar, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, si dhe drejtuesve e përfaqësuesve të universiteteve publike dhe jopublike, përfaqësuesve të Bordit të Akreditimit, përfaqësuesve të Bankës Botërore, si dhe agjencive dhe institucioneve të lidhura me arsimin.

Dokumenti i Politikave, – një paketë masash disavjeçare në rrugën drejt transformimit të arsimit të lartë në Shqipëri,synon të sigurojë që arsimi i lartë të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare, mbështetës i procesit të integrimit evropian dhe faktor kyç për zhvillimin e vendit.

Ky Dokument shpreh përkushtimin drejt rritjes së cilësisë dhe përafrimin e standardeve të arsimit të lartë shqiptar me atë të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) e Kërkimit Shkencor (ERA).

Dokumenti synon të nxisë shndërrimin e universiteteve të vendit në motorë të zhvillimit ekonomik dhe social, të fuqizojë më tej përmirësimin e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor dhe të inkurajojë e mbështesë ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura