TIRANE – Deklaratat publike të deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, drejtuar deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, për përfshirje në afera korruptive, rrezikon t’i kushtojnë atij 10 milionë lekë të vjetra. Një vendim gjyqësor i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë detyron deputetin Shalsi të dëmshpërblejë Albana Vokshin me shumën në fjalë. Vendimi për “gjobën” ndaj Shalsit është shpallur pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtarja Elona Gjoka, e cila shqyrtoi padinë e palës së dëmtuar në këtë proces. Pas 11 seancash gjyqësore, Gjykata ka vlerësuar pranimin e kërkesë-padisë për “shpërblim dëmi jopasuror” të depozituar nga deputetja e PD, Albana Vokshi. Sipas vendimit të gjykatës, deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, është i detyruar t’i paguajë koleges së tij të Kuvendit një shumë prej 1 milion lekësh. Sipas Gjykatës, kjo shumë do të jetë në shpërblim të dëmit që Shalsi i ka shkaktuar Vokshit nga përhapja e fakteve të pavërteta rreth saj. “Gjykata vendosi pranimin e kërkesë-padisë. “Trupi gjykues caktoi edhe detyrimin e të paditurit Eduard Shalsi, të shpërblejë dëmin e shkaktuar nga përhapja e fakteve të pavërteta karshi paditëses Albana Vokshi, duke e cënuar atë në nderin, dinjitetin dhe reputacionin e saj, në masën 1 milion lekë të reja”, thuhej në dispozitivin e vendimit të gjykatës. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës pohuan se ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit nga të dyja palët. Padia në ngarkim të deputetit Shalsi u depozitua në Gjykatën e Tiranës më 17 shtator të vitit 2010. Objekt i saj ishte “shpërblimi i dëmit jopasuror”. Në padi Vokshi pretendonte se nga deklaratat mediatike të deputetit Shalsi asaj i ishte cënuar dinjiteti dhe reputacioni. Në padi pretendohej se Vokshi nuk e kishte deklaruar pasurinë e Arian Tartarit, pasi ai nuk është bashkëshorti i saj, por bashkëjetues. Po aty thuhej se disa koncesione të përfituara nga bashkëjetuesi i saj ishin përfituar në përputhje me procedurat e parashikuara nga ligji. Referuar padisë, në asnjë rast nuk ishte vërtetuar ligjërisht se paditësja Vokshi ka “abuzuar me detyrën” duke ushtruar ndikim te Kryeministri për të përfituar koncesionet. Në të njëjtën kohë me padinë ndaj Shalsit, deputetja Vokshi paditi në Gjykatën e Tiranës edhe tetë deputetë të tjerë të PS-së, po për padi “shpërblim dëmi jopasuror”. Këto padi janë duke u shqyrtuar në procese të veçanta në gjykatë. ar.ba
1 milion
lekë të reja është shuma që duhet t’i paguajë deputeti i PS, Eduard Shalsi, koleges së tij nga Partia Demokratike, nëse vendimi i Gjykatës së Tiranës do të marrë formë të prerë











