Komunistët e hodhën bustin e Gjergj Fishtës në lumë më 1967, Preç Ndoj e fshehu në shtëpi! Amaneti i të atit për të mos e lënë të humbiste

May 15, 2026 | 10:29

namik dokleNAMIK DOKLE

Preç Ndoc Ndoj dhe të bijtë, jo më kot, ia vunë emrin “Hylli i Dritës” restorantit të tyre në një vend piktoresk të Troshanit, pak pasi ke kaluar Kallmetin e Vogël. Ky emër të kujton revistën e famshme në të cilën kontribuonte më së shumti poeti i shquar Gjergj Fishta. Dhe Preçi ka gjithë të drejtën e Zotit ta përdor këtë emër, sepse është i biri i Ndoc Hil Ndoit, njeriut që shpëtoi bustin origjinal të Fishtës.

Ishte viti 1968, një vit pas “cunamit të diktaturës” që mbylli kishat dhe xhamitë në gjithë vendin, faroi ikona dhe gravura, dogji e hodhi në plehra libra me vlera historike, apo edhe thjesht letrare e kulturore. Një vit më parë, ai kishte qenë i pranishëm, kur kjo shëmti ndodhi edhe në qendër të qytetit të Lezhës. Çfarë digjej u dogj, çfarë nuk digjej u hodh në lum. Që nga ajo ditë, sa herë kalonte atypari, Ndoci nuk mund ta hiqte vështrimin nga lumi; me kureshtje a me shpresë, – vështirë të përfytyrohet sot. Dhe një ditë, në pakësim të ujërave të lumit, ai vuri re diçka të zezë. Një ndjesi e çuditshme, përzier me frikë, e shtyu drejt lumit. E mori në dorë objektin dhe u drodh: njohu bustin e Pater Gjergjit, siç e quanin në Troshan. I përvëluan duart dhe e lëshoi përsëri aty ku e gjeti. Doli në breg dhe i dukej sikur ishte në cak të një gremine, ku, nga imta në imtë, mund të shkonte huptas. U largua dhe, një Zot e di, çfarë ka menduar një natë e një ditë, derisa mori atë vendim, të frikshëm për ato kohë, por që sot ngjan me një mrekulli. Në natën e dytë, bashkë me një të njohur të tij, shkuan te lumi.

“Ndoc, për çka e ke atë thes, çfarë ka qit lumi?!”, e pyeti tjetri.

“Hyn e merre atë gurin e zi”, – i tha ai.

Kur tjetri e nxori bustin, zëdridhshëm, i tha:

“A m’duket mue, apo asht Pater Gjergji ky?”

Ndoci nuk tha as po, as jo. E futi bustin në një thes dhe e çoi në shtëpi. Nuk i tregoi askujt se çfarë kishte në atë thes të lagur…

-Po pastaj? – e pyes Preçin, që po ma tregonte këtë ngjarje tronditëse.

-Baba vdiq në vitin 1987, – më tregon, – por pak para se me dekë, më thirri e më tregoi një cep muri në oborr të shtpisë. Kam një amanet në atë mur, më tha, u bënë 19 vjet që e mbaj të fshehur aty, lus Zotin që ti të mos e mbash aq gjatë sa e mbajta unë. Veç një porosi po të jap: “Mos lejo kurrë të bahet ma keq se asht bâ.”

Dhe erdhi koha e zbulimit të “idhujve të ndaluar”. Preçi e nxori në dritë bustin e Gjergj Fishtës. I propozoi dikujt që ta ekspozonin në një vend a mjedis publik, por, me sa dukej, frika nuk ishte vrarë ende në mendjen e të gjithëve. Dhe Preç Ndoc Ndoj vendosi ta vinte bustin e poetit të madh, aty ku ai kishte qëndruar i fshehur për 22 vjet. Edhe kur kryeministri i vendit ia kërkoi që ta çonte diku tjetër, ai iu përgjigj: Le të rrojë aty ku ka lê.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura