Kompania e makinave “Volkswagen” do të shkurtojë 50 mijë vende pune deri në vitin 2030: Modeli ynë i biznesit s’po funksionon, kemi sfida të reja!

Jun 18, 2026 | 12:31

Gjigandi gjerman i makinave ‘Volkswagen’ do të shkurtojë 50,000 vende pune deri në vitin 2030, tha drejtori ekzekutiv Oliver Blume, në mbledhjen e përgjithshme vjetore të kompanisë të martën.

volkswagen

Blume u tha aksionarëve në mbledhjen e cila u mbajt në internet, se situata e kompanisë ishte “e tensionuar dhe sfiduese”, duke theksuar se kushtet në industrinë e automobilave ishin përkeqësuar më tej në vitin 2026.

“Modeli ynë i biznesit, i cili ka qenë i suksesshëm për dekada, nuk funksionon më sot. Ne duhet ta zhvillojmë më tej”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv prezantoi pikat kryesore të strategjisë së re të kompanisë për vitin 2030, e cila u bë publike në maj.

Qëllimi i ‘Volkswagen’ është të bëhet “prodhuesi më tërheqës i makinave në botë” deri në fund të kësaj dekade, tha ai.

Modelet e reja, të tilla si ‘ID.Polo’ elektrik i prezantuar së fundmi, tregojnë se kompania është në rrugën e duhur dhe “përsëri përpara konkurrencës”, argumentoi Blume. “Megjithatë, ne nuk po fitojmë mjaftueshëm para prej tyre”, vazhdoi ai.

Vetëm në markën VW të grupit, 35,000 vende pune do të shkurtohen deri në vitin 2030. Fuqia punëtore do të jetë zvogëluar me 19,000 deri në fund të vitit 2026, tha Blume, duke shpjeguar se rreth 28,000 shkurtime vullnetare të vendeve të punës janë rënë dakord tashmë.

© Panorama.al

Te lidhura