Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon fillimin e procedurave për shkarkimin e Bajram Begajt nga detyra e tij si President i Republikës së Shqipërisë.
Deputeti demokrat Gjin Gjoni tha se Grupi Parlamentar i PD ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj për shkelje të rëndë dhe në mënyrë të vazhdueshme.
“Grupi i PD ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj për shkelje të rëndë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Kërkesa është argumentuar gjërësisht me një material prej 80 faqesh të mbështetur me 21 prova shkresore. Jemi të bindur që Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de juro kryetar i shtetit, funksione që de facto i ka humbur prej shumë kohësh tashmë”, tha Gjin Gjoni.
Ai renditi shkeljet që opozita pretendon se janë kryer nga presidenti Bajram Begaj. Sipas PD Dekretoi zgjedhje në Tiranë në shkelje të Kushtetutës, ndërhyri në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si edhe dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore.
“Dekretoi ministren virtuale ‘Diella’, S’ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025. Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve.I biri i punësuar fiktivisht në një kompani private sigurimesh që përfiton tendera nga presidenca/ Vetë Begaj i punësuar në një klinikë private”, vijoi Gjoni.
© Panorama.al












