Ekspertët e Komisionit të Venecias pritet që të zbarkojnë në fund të muajit për të diskutuar për reformën zgjedhore. Më 24 tetor, një delegacion nga Komisioni i Venecias do të mbërrijë në Shqipëri, ku do të takohet me krerët dhe ekspertët ligjorë të dy forcave kryesore në vend për mundësinë e ngritjes së një grupi pune për reformën zgjedhore. Kryeministri Berisha deklaroi pak ditë më parë që opozita mund t’i drejtohet Venecias për pikat që ajo mendon se mund të shqyrtohen në lidhje me reformën zgjedhore, ndërsa opozita deklaron se nuk mund ta vë ajo në lëvizje Komisionin. Një lëvizje të tillë, sipas saj, mund ta ndërmarrë grupi i përbashkët i punës që mund të ngrihet. Aktualisht, të dyja forcat kryesore kanë caktuar negociatorët që do të punojnë për nisjen e reformës zgjedhore, edhe pse palët ende nuk kanë arritur në një draft final që do t’i paraqitet tryezës së partive politike për shqyrtim. I vetmi draft për reformën zgjedhore është ai i dorëzuar në Kuvend dy ditë më parë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kërkon ngritjen e një komisioni parlamentar me dy nënkryetarë, me mandat gjashtëmujor. Për të shmangur bllokimin e punës së komisionit si rezultat i braktisjes së punës, në projektvendim theksohet se komisioni mund të vazhdojë të punojë edhe me një kryetar dhe se vendimet merren me shumicën e anëtarëve. Ekspertët e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR-it mund të marrin pjesë duke dhënë ndihmën e tyre për përmirësimin e Kodit. L.T











