
Komisioni i Venecias do të diskutojë të enjten rreth progresit të bërë në zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Më 13 tetor, në mbledhjen e Këshillit për Zgjedhje Demokratike, një strukturë brenda Komisionit, do të informohet për punën e bërë deri tani lidhur me këtë çështje. “Pas zgjedhjeve lokale dhe në veçanti pas mosmarrëveshjeve që lindën për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës kërkoi një opinion për përmirësimet që duhen bërë në legjislacionin e zgjedhur, duke pasur në konsideratë problemet në procesin e 8 majit. Një opinion në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in do të përgatitet për Komisionin në sesionin e dhjetorit. Kjo mbledhje do t’i hapë rrugë dhe hartimit të një opinioni rreth procedurave ligjore në zgjedhjet vendore në Tiranë, duke përmbushur dhe një kërkesë të opozitës shqiptare. Pak kohë më parë, edhe pas një kërkese të forcës kryesore të opozitës, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, iu drejtua me një letër presidentit të Komisionit të Venecias, ku kërkonte përgatitjen e një opinioni për Shqipërinë, duke u ndalur posaçërisht te problematikat që u shfaqën në Tiranë, pikërisht procedurat që u ndoqën pasi u konstatua hedhja e votave të qytetarëve në kutinë e gabuar.
Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së, Thorbjorn Jagland, i ka shkruar një letër kryetarit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, ku i ka kërkuar një opinion mbi përmirësimet e mundshme që duhen bërë në legjislacionin shqiptar për zgjedhjet. Në letrën drejtuar Komisionit të Venecias, Jagland shkruan: “Ju jeni pa dyshim në dijeni të situatës në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale, në veçanti të polemikave në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Unë e kam ndjekur situatën nga afër dhe e kam adresuar këtë çështje tek autoritetet shqiptare, por unë mendoj se Këshilli i Europës duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për ta ndihmuar Shqipërinë në shmangien e përsëritjeve të situatave të ngjashme në të ardhmen”.
Socialistët
Partia Socialiste i drejtohet Komisionit të Venecias për zgjedhjet në Tiranë. Përmes një shkrese ku përfshihen katër pyetje, e që në thelb kanë zbatimin korrekt të ligjit nga ana Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, socialistët kërkojnë opinionin e këtij komisioni për të përcaktuar ligjshmërinë e të gjithë procesit zgjedhor të 8 majit. Letra e firmosur nga Gramoz Ruçi kërkon interpretim lidhur me faktin se “si duhet të trajtoheshin nga KQZ-ja fletët e gjetura në kutitë e gabuara”.
Vizita
Më 24-25 tetor, një delegacion i Komisionit të Venecias do të vizitojë Shqipërinë, i nxitur nga letra e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Jagland, lidhur me praktikat dhe ligjshmëritë e procesit zgjedhor të 8 majit. Delegacioni do të takojë autoritetet qendrore në vend dhe do të marrë opinione dhe nga aktorë të tjerë të politikës shqiptare. Takimet do të shërbejnë për formulimin e një opinioni sa më të bazuar rreth zbatimit të ligjit gjatë zgjedhjeve të fundit vendore.











