Kombëtarja, largohet Josip Kuzhe

Oct 21, 2011 | 12:04

Josip Kuzhe nuk do të jetë më trajner i Kombëtares shqiptare. Vendimi është marrë dje nga vetë tekniku, pas një takimi me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Lajmi është bërë publik nga vetë Kuzhe, i cili në dalje nga zyrat e Federatës ka konfirmuar se nuk do ta rinovojë kontratën në drejtim të Kombëtares edhe për sezonin tjetër të kualifikimeve. “Kjo është zgjidhja më e mirë si për Shqipërinë, ashtu edhe për mua”, ka pohuar Kuzhe, duke u bërë kështu trajneri i pestë i huaj që largohet gjatë epokës së presidentit Duka (Xhuzepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç dhe Ari Han). Tashmë, trajneri i ri që do të zgjidhet nga FSHF-ja do të ketë mundësinë që të shfrytëzojë dy miqësoret e muajit nëntor kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë për t’u njohur me ekipin dhe më pas do ta drejtojë atë për kualifikimet e Botërorit 2014. “Pas takimit që pata me z. Duka, vendosëm që kontrata ime, e cila përfundonte më 1 janar të vitit 2012, të mbyllej këtu. Kjo gjë u bë për të mirën e Federatës, në të mirën e futbollit shqiptar, pasi trajneri i ri që do të vijë më pas, do të ketë mundësi të drejtojë dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor, me qëllim që të krijojë një ide sa më të qartë për ekipin që do të ketë në dispozicion. Folëm gjatë me z. Duka dhe u pa qartë se rrugët tona nuk përputheshin më, ndaj vendosa ta përfundoj këtu kontratën time me Kombëtaren shqiptare, duke mos e rinovuar më”, pohoi kroati, i cili e drejtoi Shqipërinë në 13 ndeshje zyrtare me një bilanc prej 2 fitoresh, 4 barazimesh dhe 7 humbjesh dhe, në 11 ndeshje miqësore me një bilanc prej 6 fitoresh, 3 barazimesh dhe 2 humbjesh. Sakaq, duhet thënë se Kuzhe ka hyrë në historinë e Kombëtares shqiptare si trajneri që ka arritur fitoren më të thellë në historinë e përfaqësueses sonë: 6-1 ndaj Qipros në një ndeshje miqësore të vitit 2009. Më tej, Kuzhe ka treguar edhe të ardhmen e tij, gjithnjë në futboll, duke konfirmuar se do të shikojë mundësinë që të vihet në krye të ndonjë skuadre klubi dhe jo më Kombëtareje. “E ardhmja? Sigurisht që do të jetë futbolli. Unë jam trajner dhe kjo është puna ime. Sinqerisht do dëshiroja që të drejtoja ndonjë klub dhe këtë do ta shikoj në ditët në vazhdim si një opsion të mundshëm. Nuk di të them më shumë tani, pasi gjithçka do ta analizoj tani e tutje dhe më pas do të vendos se ku do të shkoj”, ka pohuar Kuzhe. Ai erdhi në krye të Kombëtares zyrtarisht më 20 maj të 2009-s, pas shkarkimit të trajnerit holandez Ari Han. Ky i fundit u largua për shkak të rezultateve të dobëta dhe asokohe mes shumë kandidatësh, presidenti Duka edhe me “bekimin” dhe ndërhyrjen e ish-trajnerit Oto Bariç, zgjodhi pikërisht Kuzhen për postin ë teknikut kuqezi. Ndeshja e tij e parë ka qenë ajo ndaj Portugalisë (1-2) në Tiranë.

Koeman-Katanec, në “luftë” për pankinën
Ervin Koeman dhe Sreçko Katanec janë dy trajnerët që shihen si më të mundshmit për të marrë drejtimin e skuadrës sonë kombëtare. Madje, sipas informacioneve, holandezi duket se ka rënë dakord parimisht me presidentin Duka dhe në ditët në vazhdim do të përfundohen edhe detajet e fundit të kontratës. Ai dha dorëheqjen krejt papritur para disa ditësh nga pankina e Utrehtit, dhe kjo të bën të mendosh se tekniku është gati për të marrë stolin kuqezi. Koeman ka drejtuar më parë Kombëtaren e Hungarisë dhe ka qenë gjithnjë i admiruar nga presidenti i FSHF-së, Duka. Sakaq, në garë mbetet edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Besnik Hasi.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura