Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, mendon se koha e pandëshkueshmërisë tani ka marrë fund dhe atë që shqiptarët e mendonin me zë dikur, tani SPAK dhe drejtësia e re po e provon dhe fakton në dosje, ku veçohet lidhja e krimit të organizuar me politikën.
I ftuar në “Oponencë”, në studion e “News 24”, ish-magjistrati analizoi situatën e krimit, drejtësisë dhe politikës aktualisht, pas dosjeve të bujshme që kanë shpërthyer aktualisht, veçanërisht ato të AKSHI-t dhe të zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Koha e pandëshkueshmërisë mendoj se ka mbaruar. Nuk ka më pandëshkueshmëri. Duke parë atë që po prodhon SPAK deri tani dhe që po e provon është ajo se krimi i organizuar ka hyrë në politik, krimi i organizuar bashkëpunon me korrupsionin dhe me zyrtarët, të gjitha këto që janë thënë edhe më parë. Thjesht tani Prokuroria e Posaçme po e provon atë që thoshin njerëzit nëpër kafene apo mes njëri-tjetrit. Tani po i kopsit nëpër dosje”, tha Beci.
Ish-prokurori shpjegoi se politika i bëri llogaritë gabim me drejtësinë e re, sepse mendoi se do e kontrollonte trupën e magjistratëve që do përzgjidheshin për strukturat e posaçme, por tani ata u kanë dalë nga “rrethi”.
“Reagimi i politikës është i pallogaritur mirë. Politika mendoi se do kishte dikë aty që do e kontrollonte. Duket se Prokuroria e Posaçme u ka dalë nga rrethi, ata mendonin se e kishin në rreth dhe dyshohej se ishte në rreth dikur. U hodhën 140 vota për të bërë reformën në drejtësi dhe nuk e hodhën për prokuroritë e rretheve, por për këtë që po bëhet tani. Ata ndoshta e menduan si fantazi se do e kontrollonin, do hiqnin dikë aty dhe dikë atje dhe të gjithë e votuan, ca me qejf dhe ca me presione. Ndoshta edhe ndonjë faktor tjetër që nuk flet shqip e shtyu këtë, duke vazhduar detyrën”, shpjegoi ai.
Beci shpjegoi edhe dyshimet e bazuara të lidhjes së krimit të organizuar shqiptar që po shkakton edhe cenim të sigurisë dhe të vetë reformës në drejtësi, ndaj edhe ndërkombëtarët po e shtyjnë më tej dhe po e mbështesin SPAK-un në këtë mision.
“Baballarët e drejtësisë dhe mazhoranca menduan se duke bërë reformën në drejtësi dhe duke ngritur strukturën e Prokurorisë së Posaçme, ata nuk do na godasin thanë. Por ata lejuan edhe me Kushtetutë që të hynte ONM-ja, faktori ndërkombëtar që mbikëqyrte reformën në drejtësi. Por tani kemi krimin e organizuar që bën lëmsh deri në Amerikën latine dhe Evropë, krim i organizuar që sjell të gjitha fitimet në Shqipëri, e që paraqet një rrezik edhe për sigurinë brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh ai.
Ish-prokurori konstatoi se krimi i organizuar shqiptar tani është bërë “violinë e parë” në narkotrafik dhe SHBA-të u kanë shpallur luftë karteleve të të gjitha gjuhëve, përfshi edhe atë shqiptar, që ka ndërhyrë deri në politikë.
“Ky krim i organizuar kërcënon edhe ndërkombëtarët. Ka ndërhyrje të fortë të ndërkombëtarëve, SHBA-ve, për të goditur krimin e organizuar dhe grupet e trafikut të lëndëve narkotike. Sepse kemi parë se shqiptarët janë bërë edhe violinë e parë e këtij trafiku në Amerikën latine. Dhe ku është depoja e këtij krimi të organizuar? Sigurisht në Shqipëri, ndaj duan që ta godasin, sepse përbëjnë rrezikshmëri”, argumentoi Beci.
© Panorama.al












