Kodet, zbardhet debati Ruçi-Topalli në Kuvend

Nov 12, 2011 | 10:53

Bllokimi i ligjeve në Parlament, që kër-kojnë shumicë të cilësuar, kanë përplasur maxhorancën dhe opozitën edhe një ditë pasi doli progres-raporti i KE-së.

Megjithëse zyrtarët e lartë europiane kishin apeluar nga Brukseli gjetjen e konsensusit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kanë replikuar mes tyre në një mbledhje me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve.
Debati
Fillimisht ka qenë kryeparlamentarja që është shprehur se statusi i vendit kandidat është refuzuar për të dytin vit për shkak se opozita nuk ka votuar katër ligje që miratohen vetëm duke marrë tre të pestat e votave. “Ndërkohë, të gjithë e dimë se dje është publikuar progres-raporti, i cili ka kapituj të tërë. Është marrë edhe vendimi që të mos na e japin statusin duke qenë se statusi ishte i kushtëzuar me votimin e katër projektligjeve që ne vazhdojmë t’i kemi në rend të ditës, por që opozita nuk voton. Po ashtu, dje Sannino ka thënë një gjë të qartë: ‘Votoni dhe keni statusin. Votoni dhe keni statusin!’”, është shprehur kryetarja e Kuvendit në mbledhjen e 13 tetorit.
Nga opozita fillimisht ka reaguar ish-kryetarja e Komisionit të Integrimit, tani anëtare e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, e cila është shprehur se në asnjë rresht të progres-raportit nuk thuhet se dështimi erdhi për shkak të opozitës. “Për të gjithë ne, përgjigjja ose opinioni i Bashkimit Europian për kapërcimin e këtij dështimi nuk vjen duke asgjësuar përgjegjësitë te njëri-tjetri. Askund nuk është thënë që mendimi negativ erdhi se opozita nuk ka votuar projektligjet. Ka probleme për diskutim, nuk është momenti që t’i tregojmë njëri-tjetrit se çfarë thuhet, ka nevojë për tre të pestat e votave me konsensus. Theksohet fort kjo, jo për votim formal, por për votim me konsensus”, është shprehur Meksi. Më pas ka ndërhyrë edhe kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili është shprehur se konsensusi i opozitës për ligjet me tre të pestat do të vijë vetëm pasi maxhoranca të pranojë ofertën e saj për reformat në vend. “Nga 24 çështje që u parashikuan në kalendar, 14 janë kode dhe projektligje që kërkojnë tre të pestat, për të cilat ne nuk jua kemi dhënë konsensusin dhe nuk jua japim. Kjo, jo në kuptim e keq të fjalës, por sepse ju kemi bërë një ofertë dhe ju kemi ofruar dhe një afat optimal deri në muajin dhjetor, për të cilin ju jeni reflektarë. Ju bëj thirrje, në qoftë se doni konsensusin e opozitës, të reflektoni dhe të zbatoni procedurat parlamentare demokratike europiane që të keni konsensus”, është shprehur Ruçi. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të 13 tetorit është diskutuar edhe për thirrjen e grupeve të interesit në mbledhjet e komisioneve kur diskutohen projektligjet. Lidhur me këtë çështje ka reaguar kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Jemin Gjana, i cili, duke iu referuar diskutimeve në këtë komision të ligjit të plehrave, tha se nuk mund të thirren organizata jofitimprurëse që i përdorin këto takime për kapital politik. “Të mos bëjmë sikur s’e njohim, se unë e pata rastin më të fundit. Ata le ta pushkatojnë Fatmir Mediun gjithë ditën për pretendimin mbi projektligjin, por projektligjin e ka bërë BE-ja. E ka bërë IPA italian. Nëse unë pres atë djalin që ngjit afishe nëpër muret e Tiranës si grup interesi, kur shkruan se duhet pushkatuar Fatmir Mediu dhe pastaj ai mbrohet duke thënë se ‘unë jam grup interesi dhe nuk më lejojnë të vij të dëgjoj në komision’, unë them se ky nuk është dëgjim në komision”, është shprehur Gjana.

Debatet në Konferencën e Kryetarëve
Jozefina Topalli: Natyrisht, do të ishte mirë që të rrisim pjesëmarrjen e grupit të interesit në takime. Për shembull, te Komisioni i Ekonomisë mund të ftohen edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Shqiptare e Tregtisë etj. Këtë gjë ma kanë kërkuar mua dhe ne duhet të jemi korrektë. Domethënë, unë i kam kërkuar stafit që nëse vjen projektligji, bëhet depozitimi i tij e u kalon vërtet të gjithë deputetëve, por të bëhet edhe një link që të dalë në website me qëllim që grupe të interesuara ta gjejnë aty dhe të dinë se kur mund të diskutojnë për të.
Ermelinda Meksi: Mua më vjen mirë që zonja Topalli e adresoi këtë çështje. Sigurisht që kjo është vlerë e raportit, pasi sjell në vëmendje disa gjëra që ne i kemi vazhdimisht në punën tonë dhe që me vështirësi gjejnë zgjidhje. Kjo që ju sapo thatë është një problem i vazhdueshëm.
Jemin Gjana: Kjo është një çështje e rëndësishme, sepse ka të bëjë me përmirësimin e ligjeve nga Kuvendi, por ka të bëjë edhe me probleme të transparencës. Unë mendoj se jo sa herë që flasim na zë vend fjala, por nëse e analizojmë realitetin siç është, ne duhet të ndajmë dy gjëra: grupe interesi dhe NGO të specializuara që vijnë vërtet për të bërë oponencë për projektligjin dhe grupe interesi dhe NGO që vijnë në një seancë dëgjimore, në komision, për të mos u marrë aspak me projektligjin, por për t’u marrë me politikë. Të mos bëjmë sikur s’e njohim, se unë e pata rastin më të fundit. Ata le ta pushkatojnë Fatmir Mediun gjithë ditën për pretendimin mbi projektligjin, por projektligjin e ka bërë BE-ja. E ka bërë IPA italian. Nëse unë pres atë djalin që ngjit afishe nëpër muret e Tiranës si grup interesi, kur shkruan se duhet pushkatuar Fatmir Mediu dhe pastaj ai mbrohet, duke thënë se “unë jam grup interesi dhe nuk më lejojnë të vij të dëgjoj në komision”, unë them se ky nuk është dëgjim në komision!
Jozefina Topalli: Normale, ka të drejtë.
Jemin Gjana: Kur ne bënim projektligjin për ambientin, Kozara Kati, me nja 50 të rinj, vinte dhe më kërkonte për javë të tëra që ta mbante komisionin, duke bërë luftë me pretekstin se ne jemi bërë vendi i grumbullimit të mbetjeve. Këto pastaj nuk janë grupe interesi.
Jozefina Topalli: Mirë atëherë, kalojmë te arsyeja për të cilën jemi mbledhur, për programin dhe për kalendarin. Ndërkohë, të gjithë e dimë se dje është publikuar progres-raporti, i cili ka kapituj të tërë. Është marrë edhe vendimi që të mos na e japin statusin duke qenë se statusi ishte i kushtëzuar me votimin e katër projektligjeve që ne vazhdojmë t’i kemi në rend të ditës, por që opozita nuk i voton. Po ashtu, dje Sannino ka thënë një gjë të qartë: “Votoni dhe keni statusin. Votoni dhe keni statusin!”.
Ermelinda Meksi: Për të gjithë ne, përgjigjja ose opinioni i Bashkimit Europian për kapërcimin e këtij dështimi nuk vjen duke asgjësuar përgjegjësitë te njëri – tjetri. Askund nuk është thënë që mendimi negativ erdhi se opozita nuk ka votuar projektligjet. Ka probleme për diskutim, nuk është momenti që t’i tregojmë njëri – tjetrit se çfarë thuhet, ka nevojë për tre të pestat e votave me konsensus. Theksohet fort kjo, jo për votim formal, por votim me konsensus. Pra, ajo që unë do të dëshiroja, zonja kryetare, është që të kemi një reflektim serioz për këtë raport, mos ta bëjmë atë që zoti Fyle na porosit, retorikën negative dhe konfrontuese, sepse nuk do të jetë kjo mënyra pozitive e qasjes.
Gramoz Ruçi: Së pari, nuk është normale që seanca është njoftuar për në orën 10:00 dhe Konferenca e Kryetarëve mblidhet në orën 10:30. Pavarësisht nga arsyet objektive ose subjektive, kjo nuk është normale dhe etike, që të lihet seanca dhe opinioni publik që e di se ka seancë, kurse ne jemi ende këtu. Së dyti, nga ajo që keni shkruar në fillim, më duket kuptimi, leximi dhe vlerësimi më primitiv që mund t’i bëhet progres-raportit, që ne ju kemi penguar për mosvotimin e katër projektligjeve. Ta ulësh pjacën deri në këtë nivel, do të thotë të tallesh me procesin e integrimit. Megjithatë, ky është koncepti juaj, vlerësimi juaj dhe puna juaj. Së treti, nga 24 çështje që u parashikuan në kalendar, 14 janë kode dhe projektligje që kërkojnë tre të pestat, për të cilat ne nuk jua kemi dhënë konsensusin dhe nuk jua japim. Kjo, jo në kuptim e keq të fjalës, por sepse ju kemi bërë një ofertë dhe ju kemi ofruar dhe një afat optimal deri në muajin dhjetor, për të cilën ju jeni reflektarë. Ju bëj thirrje, në qoftë se doni konsensusin e opozitës, të reflektoni dhe të zbatoni procedurat parlamentare, demokratike europiane që të keni konsensus. Janë vetëm dy projektligje. Pra, kalendari ka vetëm dy projektligje, ai “Për gjuetinë” dhe “Për shoqëritë tregtare”. Kjo do të thotë se Parlamenti nuk ka axhendë.
Jozefina Topalli: Kjo nuk është e vërtetë, sepse janë disa marrëveshje.
Gramoz Ruçi: A mund të mbaroj?! Janë edhe gjashtë marrëveshje. Kështu që, duke qenë kjo në varësi, do të thosha se opozita ka marrë tri nisma, TVSH-në, ndryshimin e Rregullores dhe tri interpelanca. Sigurisht që është vendosur njëra, Rregullorja në fund, sepse atëherë ka ardhur dhe nëse doni që vërtet të bëni hapa drejt reflektimit serioz si maxhorancë, merrini parasysh këto nisma. Pika e parë e progres-raportit, si e të parit, si e të dytit, është jeta parlamentare dhe në qoftë se do të kishit vullnetin politik, duhet ta fillonit nga kjo, pastaj të vazhdonit me reformën zgjedhore e të tjera me radhë. Prandaj, të mos i bëjmë njëri-tjetrit demagogji, por politikën zhvillojeni, jepni konferenca shtypi, bëni deklarata, zhvilloni debate politike në Parlament etj., por këtu jemi në Konferencë Kryetarësh.

Propozimi i PS
Partia Socialiste depozitoi pak ditë më parë në Kuvend propozimin e saj për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Në letrën që shoqëron këtë axhendë, PS-ja propozon ngritjen e një komisioni ad-hoc, që do të punojë pranë Komisionit të Ligjeve për rishikimin e këtyre drafteve. Opozita propozon që t’u kërkohet institucioneve përgjegjëse që të depozitojnë në Kuvend propozime të reja për këto ligje për shkak se nga miratimi i tyre ka kaluar një kohë e gjatë. Në të njëjtën kohë, sipas PS-së, ky propozim t’u bëhet edhe misioneve të huaja në vendin tonë.

Qëndrimi i PD
Nga ana e tyre demokratët e kanë vlerësuar propozimin e PS-së si një bazë e mirë për votimin e ligjeve me tre të pestat, por kanë shtuar se gjithçka do të diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Pavarësisht kësaj, sipas PD-së, jo të gjitha propozimet e opozitës do të pranohen. Në mbledhjen e Kuvendit të enjten, deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli, tha se “duhet të deklaroj publikisht që jam mosbesues edhe për kalendarin ‘tentativ’ që shtyn dhe për disa muaj disa gjëra që mund të ishin bërë shumë më shpejt, pra në kohën kur nuk kanë më një efekt për vendimin që do të merret për një muaj”.
ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura