Klubi Diplomatik, Liri Berisha: Ndihmë njerëzve

Oct 5, 2011 | 18:10

TIRANË- Ndihmë ndaj shtresave në nevojë, rolit dhe përfaqësimit të grave, zgjerimin e miqësisë mes vendeve, integrimin rajonal dhe një sërë projektesh në ndihmë të vendit dhe për pasqyrimin e potencialeve jashtë. Këto dhe të tjera do të jenë synimet e nismës më të re prezantuar sot në Ministrinë e Jashtme, me emrin Klubi Diplomatik, nën kujdesin e zonjës Liri Berisha dhe që ka mbledhur rreth vetes gratë e diplomatëve dhe vetë zonjat diplomate në vendin tonë.

Klubi do funksionojë brenda Ministrisë së Jashtme dhe do mbështetet nga ky institucion. Në fjalën e saj, zonja Berisha ka falenderuar zonjën Wollfarth për mbështetjen e plotë në këtë inisiativë dhe gjithë të tjerave që iu bashkuan.

“Klubi shërben për të njohur më mirë potencialet dhe të përbashkëtat mes vendeve dhe synon të punojmë në shërbim të njerëzve dhe vendeve tona. Baza e punës është fryma e bashkëpunimit”- tha Liri Berisha.

Sipas saj, ky klub do të gjenerojë ide dhe do të jetë zbatues i tyre. Në të do të organizohen veprimtari në ndihmë të shoqërisë, mbrojte të ambientit, të drejtat e fëmijëve, grave dhe rolin e tyre në shoqëri e politikë. “Nëse dikush pyet se si do e bëjmë ku do e gjejmë kohën, energjinë dhe paratë unë do përgjigjem kështu:

Nëse unë të jap një monedhë dhe ti më jep një monedhë, të dy do kemi nga një monedhë; nëse ti më jep një ide dhe unë një tjetër të dy do kemi nga dy ide”- tha ajo. Sipas zonjës së kryeministrit, idetë gjenerojnë zhvillim dhe kur ke ato, i ke të gjitha. “Shërbimi ndaj tjetrit gjëja më e bukur. Të bashkojmë përpjekjet tonë në ndihmë të shtresave në nevojë, të rritim miqësitë mes vendeve”- përfundoi Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura