KLSH, Topi dekreton Sali Shehun

Oct 28, 2011 | 10:59
Sali Shehu

Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje Sali Shehun si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Dekreti që mban numrin 7137 dhe që ka dalë një ditë përpara se kreut aktual të KLSH-së t’i përfundojë mandati, është dërguar në Parlament, ku pritet t’u nënshtrohet procedurave që përcakton rregullorja. “Në mbështetje të neneve 162, pika 2 dhe 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 11 të ligjit 8270, datë 23.12.1997 ‘Për Kontrollin e Lartë të Shtetit’, i ndryshuar, dekretoj: Sali Shehu i propozohet Kuvendit për t’u zgjedhur kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”. thuhet në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës.
Reagimi i PD
Sali Shehu nuk është një emër i panjohur i Partisë Demokratike. Ai ka qenë deputet i kësaj partie, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Kryesisë së Partisë. Shehu ka qenë gjithashtu një nga mbështetësit e Presidentit Bamir Topi. Pikërisht kjo gjë duket se nuk u ka pëlqyer demokratëve, të cilët e kanë parë me skepticizëm propozimin e tij në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të kontaktuar nga gazeta “Panorama”, zyrtarë të lartë të PD-së janë shprehur të pakënaqur me emrin që ka propozuar Topi, duke lënë të nënkuptohet se ai mund të rrëzohet në seancën plenare ku dekreti do të jetë në rendin e ditës. Rrëzimi i kësaj kandidature duket se bëhet më i lehtë edhe nga fakti që votimi për kreun e KLSH-së do të jetë i hapur. Në pikën e dytë të nenit 58 të Rregullores së Kuvendit, pas ndryshimeve që ajo pësoi në vitin 2010, thuhet: “Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të”.
Kushti i PS
Gjatë votimit të emrit të Sali Shehut pritet të shikohet edhe çfarë qëndrimi do të mbajë Partia Socialiste. Kjo për shkak se në paktin prej 10 pikash të Edi Ramës për integrimin e vendit të BE, ka një pikë edhe për zgjedhjen e kreut të ri të KLSH-së, i cili në këndvështrimin e socialistëve nuk duhet të jetë anëtar partie. “Të zgjedhim konsensualisht kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në bazë të propozimit të Presidentit të Republikës dhe t’i ofrojmë paraprakisht Presidentit një profil të parapëlqyer jo si emër, po si staturë publike, duke përjashtuar çdo kandidaturë që vjen nga dy partitë e mëdha apo ka qenë ndonjëherë anëtar i njërës prej tyre”, thuhet në pikën 5 të paktit të Ramës.

CV e Sali Shehut
CV e kandidatit për kreun e KLSH-së, Sali Shehu, është marrë në faqen zyrtare të Parlamentit www.parlament.al.
Veprimtaria profesionale:
1989-1995: Inspektor krimesh, shefi i Krimeve për qytetin shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Rrethit Shkodër.
1995(shtator): Shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Rrethit Durrës.
1995-1997: Shef i Komisariatit të Policisë Nr.2, Tiranë.
Veprimtaria politike:
2002-2005: Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
2005 e vazhdim: Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
1996-1997: Përfaqësues i Shqipërisë në KE, Strasburg, anëtar i Komitetit të Luftës kundër Krimit.
1997 (mars-korrik): Drejton forcat e policisë për mbrojtjen e Tiranës dhe institucioneve të shtetit nga të ashtuquajturat Komitete të Shpëtimit Kombëtar.
1997 (gusht): Shkarkohet nga detyra.
1998: Përfaqësues i PD-së në emisionin televiziv në TVSH “E diela debat”.
1998-1999: I burgosur për motive politike.
1999-2000: Arrest shtëpie për motive politike.
Komisioni hetimor “Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave”, anëtar.

Sot, ceremonia në Presidencë:
Topi dekoron Arbnorin me urdhrin “Nderi i Kombit”

Pjetër Arbnori

Presidenti Bamir Topi do të dekretojë sot në Presidencë me urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) ish-kryetarin e Parlamentit, Pjetër Arbnori. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje se ceremonia do të mbahet në ambientet e Presidencës në orën 12:30. Në këtë ceremoni pritet të mungojë Kryeministri Sali Berisha, i cili do të jetë në Tropojë, në inaugurimin e dy akseve rrugore. Arbnori ka qenë një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike në vitin 1991. Në vitin 1961 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje, por pas tre muajsh dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të tij në burg, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht 1989 lirohet nga burgu pas 28 vjet e gjysmë. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste me 14 janar 1990. Zgjidhet kryetar i PD-së për Shkodrën. I njohur si Mandela e Shqipërisë, ish-kryetar, i Kuvendit të Shqipërisë zgjidhet deputet në pesë legjislatura (1992-2005). Më 1992 dhe 1996 zgjidhet kryetar i Kuvendit Popullor. Në vitin 2005 ai humbi zgjedhjet në zonën e Malësisë së Madhe dhe me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike u emërua ambasador në Vatikan. Ai u nda nga jeta në korrik të vitit 2006. Ka marrë titullin “Mësues i Popullit” dhe “Pishtar i Demokracisë”. Gjithashtu është “Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës” nga Asambleja e vendeve frëngjishtfolëse. Arbnroi ka shkruar shtatë romane dhe ka botuar: “Mugujt e mesjetës”, novelë, “Kur dynden Vikingët”, novelë, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” etj. dhe ka përkthyer nga frëngjishtja “Historia e Anglisë”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura