
Raporti: Abuzim 9.2 milionë lekë te Ministria e Punës që bleu spotin.
Reklama për mitingun, pak metra larg grevës së urisë së PS.
Spotet publicitare për thirrjen e mitingut festiv qeveritar të 1 Majit të vitit 2010 janë paguar nga buxheti në mënyrë abuzive. Kontrolli i Shtetit ka zbuluar se Ministria e Punës, institucioni që kreu procedurat për spotet, ka shkelur ligjin dhe ka shkaktuar një dëm prej 92 mijë dollarësh. Për ta rikthyer në memorie, bëhet fjalë për mitungun që qeveria organizoi më 1 Maj 2010 në sheshin “Nënë Tereza”. Në atë kohë, përballë Kryeministrisë ishin të ngujuar në çadra deputetët e opozitës në grevë urie për hapjen e kutive. Qeveria reklamoi si një festë të madhe 1 Majin e asaj dite, mitingu i së cilës u mbajt vetëm pak metra larg grevës së urisë. Edhe pse nuk pati incidente, në atë kohë ky veprim u pa si një “luftë” përkrahësish dhe provokim mes dy forcave politike. Por ky ishte vetëm imazhi. Në të vërtetë, taksapaguesit nga reklamimi i kësaj feste kanë humbur jo pak, por 9,237,863 lekë.
Raporti i KLSH
Sipas KLSH, e gjithë procedura për transmetimin e spotit televiziv ka qenë kryekëput jashtëligjore dhe abuzive. KLSH sqaron se organizimi i spotit ka qenë me “porosi të qeverisë”. Në auditimin e procedurës “Për realizimin, prodhimin, transmetimin dhe elementë të tjerë dekorativë për festën e 1 Majit 2010”, rezultoi se mungonin dokumentet justifikues dhe vërtetues për monitorimin, dokumentimin e shërbimit të kryer (mungon dokumentacioni justifikues i pagesës së kryer) dhe përmbushjen e qëllimit të këtij financimi. “Shkeljet e dispozitave ligjore në fuqi kanë sjellë një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 9,237,863 lekë”. Audituesit e KLSH zbardhin të gjitha shkeljet. Sipas tyre, e gjithë procedura është bërë me një mungesë profesionalizmi dhe përgjegjshmërie ligjore. “Mungojnë specifikimet teknike për realizimin e spotit, si ideja, objekti, koha e transmetimit, mediaplanet për secilin televizion etj. Pra, nuk ka argumentim ekonomiko-financiar mbi bazën e të cilit duhej të fillonin procedurat e prodhimit e të përzgjedhjes së agjencisë që do të merrte përsipër transmetimin e spotit.” Kjo është shkelja e parë, e cila tregon qartë nxitimin për kryerjen e spotit, në atë kohë të ngarkuar politike. Por, sipas KLSH, paaftësia vazhdon edhe më tej. “Nga komisioni i hartimit të specifikimeve teknike në Ministri, dokumentacioni është firmosur në mënyrë formale, pa u mbështetur në asnjë dokument të mbledhjes së këtij komisioni, të funksionimit të tij dhe mënyrës së argumentimit të hartimit të këtyre specifikimeve”.
Abuzimi
Kjo është vetëm pjesa e organizimit, ku sipas KLSh, prokurimi është bërë me një nxitim apo paaftësi të dukshme. Pjesa tjetër e raportit tregon edhe abuzimin. “Nga komisioni i vlerësimit janë pranuar të tria ofertat me gabime matematikore të paraqitura nga tre operatorë, të cilat ndryshojnë në thelb vlerën e konkurrimit, pra vlerat e ofruara. Theksojmë se, me gjithë insistimin e audituesve të KLSH, nuk u paraqit asnjë dokument mbi negociatat e kryera dhe dokumentacionin e kryerjes së këtij eventi. Raporti thekson se e gjithë shuma e dëmit prej 9.2 milionë lekësh është kërkuar të dëmshpërblehet. “KLSH ka përgatitur dhe dërguar kallëzim penal në organet e prokurorisë për 7 punonjës, nga të cilët një drejtor kabineti, dy drejtorë të përgjithshëm dhe 3 përgjegjës sektori në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.”
Reagimi Ministrisë së Ekonomisë
Pas raportit, Naço shkarkon kreun e ATRAKO
Pas publikimit të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për problemet e hasura tek koncesionet e hidrocentraleve dhe ato minerare në vend, Ministria e Ekonomisë reagoi shkurt dje. Ministri Nasip Naço deklaroi se ka filluar procedura për shkarkimin e drejtorit të ATRAKO (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve), Shkëlqim Kërluku, pas dëmit të konstatuar nga KLSH-ja. Në kontrollin që ky institucion i bëri sektorit të koncesioneve në vend për periudhën nga janari 2010 deri në shtator 2011, doli në përfundimin se vetëm nga ATRAKO dëmi ishte 11 milionë dollarë si efekt i mosmbledhjes së detyrimeve që konscesionarët duhet t’i paguajnë shtetit. Dëmi në total i konkluduar në raportin e KLSH-së ishte plot 18 milionë dollarë. Ministri Nasip Naço lidhur me këtë raport të KLSH-së ka preferuar që të japë një deklaratë të shkurtër, ku shprehej se Ministria e Ekonomisë do ta studiojë me seriozitet raportin. “Po studiojmë me seriozitet raportin e KLSH. Do marrim çdo vendim në bazë të ligjit, duke njoftuar edhe publikun çdo ditë”, është shprehur Naço. Në fakt, KLSH në raportin e tij përfshin një sërë masash të cilat shkojnë deri në propozime për largime nga detyra apo ulje në detyrë për një sërë drejtorësh e specialistësh të AKBN-së dhe ATRAKO-s. Por me sa duket, për shkak edhe se dëmi më i madh prej 11 milionë dollarësh vjen nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve, shkarkimi ka filluar nga ky institucion. Ministria e Ekonomisë ka preferuar që raportin e KLSH-së ta kalojë vetëm me këtë koment të vogël, duke lënë të hapur rrugën për vendime të reja në ditët në vijim.
Raporti: Shkelje 32 mijë euro edhe te spoti i turizmit
Shkelje ligjore e financiare janë zbuluar edhe në Ministrinë e Kulturës, në atë kohë e drejtuar nga ministri Xhaferraj. Sipas raportit “Prodhimi dhe transmetimi i spotit publicitar, promovimi i turizmit në Shqipëri”, ka shkaktuar një dëm ekonomik ndaj shtetit prej 36,250 eurosh ose 4.456.937 lekë. “KLSH ka kërkuar kallëzim penal për 3 punonjës të Ministrisë, përkatësisht një kryetar i grupit të monitorimit të kontratës për transmetimin e spotit publicitar dhe 2 anëtarë të këtij grupi.”
NERTILA MAHO
© Panorama.al











