Klosi: Marrëveshja me Austrinë, qokë për të blerë Grossruck-un

Oct 7, 2011 | 11:33
Klosi dje gjatë fjalës në Parlament

Ratifikimi i një marrëveshje me Austrinë për Regjistrin e Gjendjes Civile përplasi sërish në Parlament maxhorancën dhe opozitën. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, u shpreh se kjo marrëveshje është një tjetër qokë për zv.presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgan Grossruck, i cili në deklarimet e tij ka mbajtur një qëndrim pro qeverisë. “Perifrazoj këtu ministrin e Brendshëm, i cili tha: ‘Është shumë i rëndësishëm, është shumë i rëndësishëm, është shumë i rëndësishëm ky projekt-marrëveshje’. Por jo për qytetarët shqiptarë. Është shumë e rëndësishme për t’ju mbajtur ju në karrige. Është një qokë që u bëhet atyre që dalin dhe thonë se Kodi Elektoral është në rregull, se zgjedhjet në Shqipëri nuk vidhen, në Shqipëri nuk ka problematikë. Ndodh kjo, një qokë për deputetët tuaj që jo vetëm nga pamja e jashtme i ngjanë Ferdinand Pones, kanë mustaqe, por janë në ide dhe koncepte fiks si Ferdinand Pone”, u shpreh Klosi. Lidhur me këto akuza reagoi ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. “Kush është qoka, letërnjoftimet aktuale elektronike që u prodhuan me kosto zero nga buxheti, apo të ashtuquajturat kartat për votim që u konsumuan 6 milionë euro? Kush janë hajdutët në këtë rast? Kush janë qokat: pasaportat që sot bënë të mundur që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë? Koha vërtetoi që kishim të drejtë. Natyrisht, sot shqiptarë kanë arritje dhe kanë standarde shumë të mëdha”, u shpreh Nishani.

© Panorama.al

Te lidhura