Klientët e rremë grabisin me armë taksistin

Oct 7, 2011 | 12:45

Tiranë – Një taksist 59 vjeç nga Durrësi është grabitur nga dy “klientë” të armatosur, të cilët i kanë kërkuar shërbim gjatë natës për të udhëtuar në drejtim të Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, në afërsi të fshatit Budëll të komunës Prezë, pak minuta para se taksia të mbërrinte në “destinacionin” e kërkuar nga klientët. Burime nga Policia thanë se taksisti i grabitur është Sabri Vaja dhe sipas tij, autorët e ngjarjes janë dy djem të rinj, të armatosur, të cilët nga dialekti dukej sikur ishin nga Durrësi, por ai nuk i ka njohur edhe pse ishin të pamaskuar. Në denoncimin e tij, Vaja pretendon se autorët e kanë kërcënuar me armë, duke e detyruar që të zbriste nga makina e tij taksi, tip “Benz 270”, me targë AA 038 AT. Dy djemtë kanë kërkuar një shërbim taksi nga sheshi “Pranvera” në Durrës, në drejtim të Tiranës. Ndërsa kanë kryer grabitjen pranë Prezës, pasi kishin bërë më shumë se gjysmën e rrugës, duke qenë se aty ishte zonë e pa ndriçuar dhe pa shumë lëvizje automjetesh. Para se t’i hipnin makinës për t’u larguar, ata i kanë vjedhur edhe dy celularët, si dhe kanë hequr nga kabina e mjetit tabelën e taksisë me numër 228888 dhe e kanë hedhur në tokë. Për arsye se nuk kishte telefon për të lajmëruar policinë, taksisti Sabri Vaja, ka pritur për disa minuta, derisa i ka kërkuar ndihmë një kalimtar për të përdorur telefonin e tij. Burimet sqaruan se Vaja ka telefonuar në sallën operative në numrin 129, por është përgjigjur Policia e Durrësit, pasi ngjarja ka ndodhur në territorin që ndan Tiranën Durrësin dhe Fushë-Krujën. Për këtë arsye, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime policie nga të tre qytetet, ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes dhe hetimet po kryhen nga oficerët e Seksionit të Vjedhje me Dhunë dhe Armë të kryeqytetit. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar tabela e taksisë së grabitur, e cila do të shërbejë edhe për ekzaminimin e shenjave të gishtërinjve që mund të kenë lënë autorët. Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë marrjes në pyetje, taksisti Sabri Vaja ka dhënë një përshkrim fizik për secilin nga autorët. Por, sipas Policisë, nuk shërben për ndërtimin e një identikiti të përafërt, pasi i dëmtuari është shprehur se për shkak të errësirës nuk ka mundur të fiksojë tiparet e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura