Edhe pse vetëm 23 vjeçe, ajo nuk është një sportiste amatore. Ka kaluar disa etapa profesionale, për t’u pozicionuar si arbitre anësore në ndeshjet e futbollit, që zhvillohen në qytetin e Durrësit. Për të mbërritur deri këtu, i është dashur të hedhë pas krahëve paragjykimet e rastit për përfshirjen e saj në një disiplinë sportive, që dominohet nga seksi i kundërt. Klesta Gjyli rrëfehet për zgjedhjen e saj
Lojërat e saj të preferuara poshtë pallatit të shtëpisë gjithnjë kanë qenë ato me topin e futbollit apo garat e vrapimit. Asnjëherë nuk ngurronte të maste forcat me çunat e lagjes, ndryshe nga shoqet me bishtaleca që u qëndronin besnike argëtimeve klasike me kukulla. Me vite, tërheqjet e momentit ua lanë vendin disiplinave të mirëfillta sportive, duke nisur me atletikën e më pas futbollin. Prej moshës 10-vjeçare, vajza durrsake Klesta Gjyli nuk është ndarë më nga angazhimet sportive. “Më ngjan sikur kam lindur me sportin. Ndoshta, sepse që në moshë të vogël pasioni im për futbollin u kthye në një objektiv profesional për të ardhmen. E nisa me atletikën, duke u bërë pjesë e Mjeshtërisë Sportive të qytetit të Durrësit, por synimi im ishte gjithnjë futbolli. Servet Bogdani, arbitër i Federatës Shqiptare të Futbollit, kërkonte tri vajza që të pozicionoheshin si arbitre futbolli. Sigurisht, përveç aftësive dhe njohurive specifike, ne duhet ta dëshironim këtë detyrë. Trajnerja Zamira Greca propozoi emrin tim, dhe pa asnjë hezitim pranova shansin që m’u ofrua. Aktualisht jam arbitre anësore e ekipit të “Teutës” për kategoritë moshore të të rinjve dhe për të rritur”, thotë ajo, teksa ngulmon të shtojë se ishte më shumë një zgjedhje personale, sesa orientim familjar. Klesta është e kënaqur me vendimin që ka marrë për t’u përfshirë në një terren të ashpër, që kaherë është dominuar nga meshkujt.
Pjesë e pakicës

Përfaqësimi i femrave në radhët e arbitrave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, mbetet ende në nivele të ulëta, ngase të arbitrosh një ndeshje futbolli, sidomos në fushat shqiptare, nuk është pa rrezik. Dhuna në fushat e futbollit, ofendimet apo sharjet nga më “koloristiket” janë faktorë frenues, për cilindo që tenton të shprehë qoftë edhe dëshirën për t’u bërë arbitër. Por 23-vjeçares durrsake i mjaftoi pasioni për futbollin dhe dëshira për këtë pozicion në fushë, për të rrëzuar si kështjellë prej rëre të gjitha barrierat që i dolën para. Ndonëse nuk ka muskujt e meshkujve në fushën e blertë, ndofta as rezistencën e madhe në lojë apo shpejtësinë e aksionit, nuk iu desh shumë për t’i mbushur mendjen vetes, familjarëve të saj apo të fejuarit, se e dëshironte këtë profil pune. “Ne femrat gjithnjë jemi mbajtur si seks i dobët, ndërkohë që kemi potencialet e duhura për të qenë baras me meshkujt. Por arbitrimi vazhdon të jetë përfaqësi e meshkujve. Për të qenë profesionalë në punën tonë, na duhet të dimë përmendësh rregullat e lojës së futbollit, ndëshkimet pas çdo shkeljeje në fushën e blertë nga ana e lojtarëve, dhe kryesorja, shumë vëmendje e përqendrim”, vijon Gjyli.
Sekretet e zanatit
Ajo ka gjykuar të gjithë fazën e parë të kampionatit të futbollit, duke nisur me ndeshjet për moshat e vogla, për të rinjtë dhe aktualisht për të rriturit. Njëherësh ka arbitruar edhe dy ndeshje femrash të organizuara në qytetin e Durrësit. Më shumë se problematika, ajo kujton momentet emocionuese kur vërtet ka besuar në punën që bën, megjithëse çdo etapë ka pasur vështirësitë e saj. “Për nga problematikat, asnjë ndeshje që kam gjykuar, nuk i ngjan tjetrës. Ka pasur momente të caktuara, kur lojtarët janë acaruar dhe janë afruar për të shprehur kundërshtitë e tyre. Në gjaknxehtësi e sipër, mund të ndodhë gjithçka, por kam preferuar të ruaj qetësinë dhe të shpjegoj situatën. Ajo që kam konstatuar, është fakti se lojtarët meshkuj kur kanë përpara tyre një arbitre femër rezervohen ndaj sjelljeve agresive, mbase bëhen më të ndjeshëm. Me pak mirëkuptim, pse jo dhe mirësjellje, nga ana e meshkujve është sqaruar gjithçka”. Në pozicionin e saj si arbitre anësore, Klestës i nevojitet gjithnjë një bashkëpunim shumë i mirë me arbitrin kryesor. Ndonëse në fillim të karrierës, deri më tash ka zgjedhur të mos bëjë kompromise që shkojnë përtej rregullores së përcaktuar në futbollin shqiptar. “Duhet shumë profesionalizëm në punën tonë. Mbi të gjitha, një raport bashkëpunues me arbitrin kryesor. Ne duhet të kuptohemi me njëri-tjetrin me anë të veprimeve. Detyra për të sinjalizuar nëse topi ka dalë jashtë fushës së lojës, për të përcaktuar se cila skuadër ka të drejtën e goditjes nga këndi, rivënies fundore apo anësore, pozicionet jashtë loje të lojtarëve, një sjellje e pahijshme në fushën e sportit, por që mund të kalojë pa u vënë re nga ana e arbitrit kryesor, janë detyrat e përcaktuara që mundohem t’i përmbush me përpikëri”, thekson 23-vjeçarja. Duke qenë kaq shumë e përfshirë në botën e futbollit, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë pasionant në preferencat e saj për ngjyrat e skuadrave, Klesta thotë se bën tifo për “Teutën”, ndërsa nga të huajt vazhdon të mbetet besnike e Barcelonës, që sipas saj është skuadra me lojtarët më të mirë të momentit. Ajo pohon se nuk vendos skedina. Rastet kur tenton të testojë parashikimet e saj, pse jo dhe fatin, janë krejtësisht sporadike. Përtej profilit sportiv, fanellës së verdhë, tutave sportive, bilbilit dhe flamurit që mban në dorë gjatë zhvillimit të ndeshjeve sportive, Klesta ka një jetë të sajën normale, ku ndihet e përmbushur. Megjithëse duke njohur veten dhe pasionet e saj, e di se të nesërmen do të rendë që herët në mëngjes për në fushën e blertë, ku e presin të tjera emocione, pse jo dhe të papritura.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











