Në kulmin e protestave që kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, përfaqësuesi i Kishës Katolike, Frat Andreas Walterman, i ka drejtuar një letër të hapur kreut të qeverisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit me ndotjen e lumit Fan, nga kompania e pasurimit të bakrit “BERALB” në Fushë-Arrëz.
Sipas Frat Andreas, lumi Fan ndodhet në gjendje kritike prej vitesh. Ai shprehet se “uji në lumin Fan është i vdekur” pasi është aq i ndotur sa nuk mund të përdoret as për vaditjen e tokave bujqësore, ndërsa shton se situata ka mbetur pothuajse e pandryshuar për rreth 18 vjet.
Pas dërgimit të letrës, reagimi i institucioneve ishte i menjëhershëm. Një grup inspektorësh ka zhvilluar kontrolle në zonë dhe ka vendosur masa administrative ndaj kompanisë “BERALB” për ndotjen e konstatuar.
Megjithatë, Frat Andreas thekson se vendosja e gjobave nuk mjafton për të zgjidhur problemin. Sipas tij, nevojiten masa konkrete në terren për pastrimin e lumit dhe rikthimin e tij në gjendje normale.
Gjatë deklaratave të tij, kleriku katolik vlerësoi edhe protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë për mbrojtjen e mjedisit, duke argumentuar se betonizimi i vazhdueshëm i zonave natyrore po dëmton potencialin turistik të vendit.
Prifti gjerman, i cili shërben në Shqipëri prej 18 vitesh, i bëri gjithashtu thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Ministrisë së Mjedisit, të marrë masa për mbrojtjen e natyrës, duke theksuar se “Shqipëria nuk është mirë të shitet”.
© Panorama.al












