Kinemaja shqiptare, një javë në Moskë

Oct 6, 2011 | 12:08
Nga filmi “Gjeneral gramafoni”

Kinoklubi “Miqësia e Popujve” në Universitetin e Moskës, do të presë për një javë miq nga Shqipëria. Nga data 8-14 tetor do të zhvillohet në Moskë “Java e filmit shqiptar”. Aktiviteti organizohet nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Moskë. Një delegacion nga AQSHF, kryesuar nga drejtoresha Elvira Diamanti, do të jetë i pranishëm gjatë ditëve të shfaqjeve. Sipas një njoftimi për shtyp nga AQSHF, gjatë qëndrimit në Moskë, delegacioni do të zhvillojë takime me drejtuesit e Studios Qendrore të Filmit Dokumentar e Mësimor në Moskë, institucion me të cilin AQSHF ka një protokoll bashkëpunimi në sferën profesionale. Për të prezantuar në mënyrë sa më dinjitoze kinematografinë shqiptare, janë përzgjedhur filma dokumentarë e artistikë të realizuar para dhe pas viteve ’90. Kështu, dita e parë do të hapet me filmin dokumentar “Shqipëria turistike” dhe shfaqjen e filmit artistik “Skënderbeu”, një bashkëpunim shqiptaro-rus i realizuar në kohën e dashurisë shqiptaro-sovjetike. Filmi vjen ën variantin rusisht. Programi do të vijojë të nesërmen me dokumentarin “Dashuri në kohë diktaturash”, mbi martesat shqiptaro-ruse, realizuar nga gazetarja Genta Popa dhe filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re”, “Nëntori i Dytë”. Në ditët në vijim do të shfaqen filmat “Parullat” i Gjergj Xhuvanit, “Kolonel Bunker” me regji të Kujtim Çashkut, “Gjeneral Gramafoni” (1978) me regji të Viktor Gjikës, “Trishtimi i zonjës Shnajder” nga Eno e Pirro Milkani. Java shqiptare do të mbyllet me një prodhim të një viti më parë, “Shqiptari”, i Johannes Naber, i cili ka merituar disa çmime për aktorin më të mirë protagonist.

© Panorama.al

Te lidhura