Operacioni i forcave të KFOR-it për largimin e barrikadave ilegale nga rrugët e Veriut të Kosovës ka përfunduar me tetë të plagosur mes ushtarëve dhe 22 të plagosur serbë, por edhe me heqjen e barrikadave. Komanda e KFOR-it e ka cilësuar këtë operacion të suksesshëm. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, tha se aksioni i forcave paqeruajtëse në Veri të vendit është zhvilluar me sukses. “Ajo që mund të them është se operacioni ynë, deri më tash, ishte i suksesshëm. Kemi kontroll të plotë në luginën e epërme të Ibrit dhe kemi kontroll të plotë në rrugët që janë përdorur për kontrabandë”, tha Novicki për REL. Ai ka konfirmuar gjithashtu se KFOR-i ka vënë kontroll të plotë në pikat kufitare dhe se kontrollon të gjitha kalimet në kufirin me Serbinë. “Ne i kemi hequr pjesërisht barrikadat. Çdo gjë ka kaluar në mënyrë të qetë dhe jemi përpjekur të evitojmë çdo dhunë, por deri tash popullata ka qenë shumë, shumë e qetë dhe bashkëpunuese”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Novicki. Gjatë aksionit të forcave të KFOR-it, një grup serbësh lokalë të fshatit Jagnjenicë kanë hedhur gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it. Zyra për informim e KFOR-it ka bërë të ditur se në fshatin Jagnjenicë janë lënduar lehtë 8 ushtarë të KFOR-it. Ndërkaq, misioni europian për sundimin e ligjit, EULEX, u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë sundimin e ligjit.











