Analisti Fatos Lubonja ngriti pikëpyetje me betejën e mëtejshme në lidhje me situatën ku ka ardhur situata politike në vend dhe ku kërkohet heqja e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku pas kërkesës së SPAK-ut.
I ftuar në studion e “Kjo Javë”, në “News 24”, ai ndau analizën e tij se opozita nuk duhet të presë se çfarë bën SPAK-u, por duhet të vijojë me protestat e saj në momente kyçe, e një prej tyre do të ishte dita kur Kuvendi do të vendosë për imunitetin e Ballukut.
“Për mua kjo është gjëja kryesore, jo se dua të ndërrojë temë të emisionit, por thelbi është kjo që u bë sot dhe reagimi është ky. Varet, mund të presësh drejtësinë ose të bësh protestë në shesh. Ose të prisnin edhe ditën e Kuvendit kur Ballukut të mos i hiqej imuniteti për shembull. Por pyetja është kjo, çfarë po ndodh mes drejtësisë dhe pushtetit ekzekutiv me në krye Ramën dhe bandën e tij, sepse po na jepet një perceptim se po bëhet një goditje ndaj kësaj bande në pushtet”, u shpreh Lubonja.
Për Lubonjën me rëndësi është edhe të dihet se ku e gjejnë guximin SPAK dhe GJKKO në këto goditje, për të parë se sa serioze është situata dhe për t’i paraprirë një kundërgoditje ndaj drejtësisë, që duhet mbrojtur.
“Por si morën këta guximin për të goditur kaq fortë, kjo është analiza që duhet bërë dhe që dua unë të di. Këtu s’ka llogaridhënie, por ndeshje mes pushtetit ekzekutiv, kryeministrit e të tjerëve rreth e rrotull, për t’u mbrojtur nga ky sulm që po i bën drejtësia”, vijoi ai.
Analisti ngriti dyshime të forta se qeverisja nuk do që të japë llogari dhe dyshon se do të kundërgodasin drejtësinë. Për Lubonjën, vendi ndodhet në një betejë me rëndësi se kush do fitojë, SPAK apo Rama dhe banda e tij.
“Ata nuk duan të japin llogari, por shikojnë qëndrimin se kush do e fitojë betejën. Do rudhet SPAK e do fitojnë ata, apo do triumfojë SPAK e do i çojë para Gjykatave. A jemi në momentin kur do jepet llogari apo ata do kundërgodasin, kjo mbetet për t’u parë”, tha ai.
© Panorama.al












