KESH e CEZ në borxhe, çekëve u hiqet monopoli

Nov 25, 2011 | 8:58
Nasip Naco, ministri i Ekonomise

Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, i pyetur nga deputetët socialistë për gjendjen e KESH-it, tha: “Sot, kompania ‘CEZ’ i ka KESH-it një borxh rreth 50 milionë euro, OST-së 20 milionë euro dhe të tjerë i kanë asaj rreth 20 milionë euro”. Ministri i akuzoi socialistët se nëse nuk votojnë ligjin, kjo tregon se kanë rënë pre e lobingut të bërë nga kompanitë që preken nga ky ligj. Kjo deklaratë ka krijuar reaksion në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetët socialistë janë përfshirë në debate me ministrin Naço, por dhe me ministrin e Financave, Bode. “Unë, vite më parë kam qenë avokat dhe kam pasur si detyrë të mbroj klientët e mi. Sot nuk jam avokat, jam ministër i METE-s, do të jem partner i tyre, avokat mund të bëhet kushdo dhe lobingje të bëjë kushdo. Nëse ju nuk e jepni votën, kjo do të thotë se ata kanë bërë lobim edhe tek ju që ky ligj të mos kalojë në këtë Parlament, qoftë nga e majta dhe nga e djathta”, u shpreh Naço, duke ndezur debatin parlamentar. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, pas kësaj deklarate kërkoi hetim ndaj deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë për të gjetur se kush ka bërë lobing që ky ligj të mos vinte në Kuvend që prej 7 vjetësh. Nga ana e tij, ministri i Financave, Bode, shpjegoi pse ligji erdhi në këtë kohë për miratim për shkak të koniunkturës së çmimit të energjisë, sipas tij, por dhe për të hapur konkurrencën mes kompanive. “Nëse vazhdohet kështu, vihet në dyshim stabiliteti i kompanisë dhe i financave publike. Ajo që bëhet sot është një hap i parë që të mbyllë mundësinë që KESH-i të mos vazhdojë të importojë me 145 lekë kilovatin dhe t’ua shesë konsumatorëve me 70 lekë. Ligji nuk ka ardhur më përpara sepse koniunktura e çmimeve nuk e kërkonte dhe ishte e përballueshme”, u shpreh Bode. Ndërsa nënkryetari i Grupit socialist, Erjon Braçe, duke folur në emër të Grupit, tha se kompanitë që përfitonin deri tani energji me çmim të ulët, që i shkaktonte buxhetit të KESH-it një dëm prej 40 milionë eurosh në vit, kanë qenë klientë të pushtetit.
Projektligji
Projektligji “Për energjinë” realizon hapjen dhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri, ndryshon skemën e furnizimit në tregun e energjisë, ku veç klientëve tariforë, që furnizohen me energji me çmime të rregulluara nga ERE, do të futen dhe klientë të kualifikuar, që do të furnizohen përmes furnizuesve të kualifikuar. Në këtë ndryshim ligjor synohet që konsumatorët e energjisë të lidhur me rrjetin nga 110 kilovolt e lart të transmetimit të energjisë dhe ata që konsumojnë mbi 50 milionë kilovat/orë në vit energji elektrike, të konsiderohen klientë të kualifikuar dhe të furnizohen me energji elektrike në treg duke e gjetur atë vetë dhe jo më nga CEZ-i, përmes furnizuesve të kualifikuar. Deri tani, sipas kontratës me CEZ-in, KESH ishte e detyruar t’i siguronte kompanisë çeke energji elektrike pavarësisht çmimit me të cilin e blinte në periudhat e importimit të energjisë. Por, edhe pse KESH e blinte energjinë me çmim të lartë, ajo ishte e detyruar që t’ia shiste CEZ-it me 7 lekë për kilovat/orë, ndërsa pjesën tjetër KESH e përballonte nga buxheti i saj. Kjo i ka sjellë KESH-it një humbje prej 40 milionë eurosh në vit për të kompensuar çmimin e energjisë për këto kompani.
Aktualisht ERE ka licencuar mbi 7 shoqëri tregtare që sigurojnë furnizimin me energji elektrike për klientët e kualifikuar në tregun e lirë. Pritet që nga kjo ndërhyrje në ligjin “Për sektorin e energjisë”, energjia e prodhuar nga HEC-et e mëdha me kosto të ulur dhe kapital 100 për qind shtetëror, do të furnizojë konsumatorët e tjerë dhe ata familjarë, përveç kompanive që konsumojnë sasi të mëdha energjie.

Debati dje ne parlament
Nasip Naço:
Pas miratimit të këtij ligji, qytetarët shqiptarë nuk do të njohin më rritje të çmimit të energjisë dhe ndërprerje të saj. Më pas konsumatorët e mëdhenj dhe ata familjarë do t’i bëjnë vetë marrëveshjet dhe në këtë rast jo vetëm largohet barra financiare ndaj shtetit, por do të rrisë dhe konkurrencën në treg, duke liberalizuar krejtësisht tregun energjetik. Ky ligj heq monopolin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Në treg do të hyjnë dhe operatorë të tjerë shpërndarës, por kjo nuk do të heqë detyrimin e qeverisë shqiptare ndaj KESH-it për furnizimin e popullatës. KESH do të jetë vetëm prodhuese e energjisë dhe jo importuese, duke i hequr kësaj kompanie barrën e importit dhe duke u hequr mundësinë politikanëve për akuza të ndërsjella ndaj kësaj kompanie ndër vite.
Andis Harasani: Do kërkoja t’u linim një periudhë dymujore këtyre kompanive që të krijojnë strukturën dhe kontaktet e mundshme për blerjen e energjisë. Nëse do të shkëputet menjëherë furnizimi nga CEZ, kjo mund të krijonte probleme sociale.
Arben Malaj: Ministri nuk duhet të abuzojë me lobingun. Në të gjithë botën ajo që kapet për lobim është qeveria. Ju doni të bëni pis ata që nuk bëhen dot pis, siç është opozita në rastin konkret. Ky ligj kalon me një shumicë të thjeshtë. Stafi juaj nuk ka sjellë argumentet tuaja. Shqetësimi im është konsumatori i vendit tim.
Nasip Naço: Jo vetëm që nuk ka pasur vonesa në Këshillin e Ministrave, por ka kaluar edhe me vendim qarkullues që ky projektligj të vijë sa më parë në Parlament. Unë vite më parë kam qenë avokat dhe kam pasur si detyrë të mbroj klientët e mi. Sot nuk jam avokat, jam ministër i METE-s, do të jem partner i tyre, avokat mund të bëhet kushdo dhe lobingje të bëjë kushdo. Nëse ju nuk e jepni votën, kjo do të thotë se ata kanë bërë lobing edhe te ju që ky ligj të mos kalojë në këtë Parlament, qoftë nga e majta dhe nga e djathta!
Arben Ahmetaj: Sot për herë të parë një ministër ka konfesuar në Parlamentin shqiptar se një ligj që do të çlironte kompaninë monopol nga ky funksion është penguar për 7 vjet dhe ai sot tregon sot këtu si një hero. Zoti ministër, për këtë arsye duhet të nisë një hetim penal se kush e ka penguar këtë ligj të vijë në Parlament sa më parë. Qeveria juaj duhet të bjerë sot, sepse qenka kapur nga lobingjet dhe ka penguar liberalizimin e tregut të energjisë me qëllim. Pse është vonuar ardhja e ligjit në Parlament? CEZ qenka shitur me zero lekë, siç thatë ju zoti ministër, pasi KESH ka subvencionuar CEZ-in për tre vite me radhë me 120 milionë euro. Këtu ka nevojë urgjente për një hetim penal, në një kohë që KESH sot është në prag të falimentimit.
Ridvan Bode: Ju pyesni përse qeveria nuk e ka sjellë deri më sot këtë projektligj? Jua them unë. Në vitin 2007 qeveria mori një ligj, i cili në thelbin e tij u siguron bizneseve energji me çmim të ulët, për t’iu dhënë mundësi atyre që ato të zhvilloheshin dhe të bëheshin konkurruese, siç janë bërë sot. Është një kosto që ne e kemi paguar, siç kemi bërë dhe me uljen e taksave. Pra, nëse deri në 2006-n biznesi paguante energjinë maksimalisht, sot ai paguan sot sa dhe një qytetar. Çmimi i djeshëm në bankë, në tregun rajonal, është 10 cent, ndërsa KESH ua shet kompanive dhe qytetarëve me 0.4 cent për kilovat. Kjo diferencë prej 60% të çmimit duhet kompensuar. Nëse vazhdohet kështu, vihet në dyshim stabiliteti i kompanisë dhe i financave publike. Ajo që bëhet sot është një hap i parë që të mbyllë mundësinë që KESH të mos vazhdojë të importojë me 145 lekë kilovatin dhe t’ua shesë konsumatorëve me 70 lekë. Ligji nuk ka ardhur më përpara sepse koniunktura e çmimeve nuk e kërkonte dhe ishte e përballueshme.
Erjon Braçe: Që në 2008-n, Autoriteti i Konkurrencës ka rekomanduar dhe nuk është marrë në konsideratë që për çdo akt që cenon drejtpërdrejt konkurrencën t’i merret mendim, dhe kjo nuk ka ndodhur. ERE ka miratuar 6 kompani si klientë të kualifikuar, fabrikën e çimentos në Elbasan, ACR në Bulqizë, fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, City Park në Tiranë, Autoritetin Portual Durrës, ARMO-n etj. Të gjithë këta kanë ikur nga klientë të kualifikuar dhe janë klasifikuar nga ERE si klientë të “privilegjuar” dhe kanë marrë gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë të paligjshme klienteliste, çmimin më të ulët se dhe vetë familjarët. Ju thoni që këto kompani, tani që ju nuk keni më nevojë për këto, sepse deri në 2007-n ju mbështesnin në zgjedhje, do të marrin energji në tregun e lirë tek ata që ju i quani furnizuesit e kualifikuar të energjisë elektrike. Unë kam bërë një kërkim në bazë të letrës së Entit Rregullator të Energjisë dhe kam gjetur se janë “Gen 1”, kompani e cila drejtohet nga një drejtori i “Gen 1” në Serbi. Kompania e dytë është “ACR Energy”. Si mund të hapet tregu i energjisë me një kompani që në QKR deklaron se është shoqëri në likuidim e sipër? Kompania e tretë është shqiptare, me një peshë fare të vogël në tregun energjetik. Kompania e katërt është “EFT”, e njohur nga të gjithë me origjinë serbe. Kompania tjetër është “EGL” e Naskës, e njihni Naskë Afezollin, ish-zv.ministri i METE-s. Kompania më e rëndësishme e kësaj liste është “Rudnap” e sekserit tuaj Damir Fazlliç. Nëse ju sillni një ligj dhe nuk zbatoni rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës, neve nuk na keni partnerë në këtë histori.
Ridvan Bode: Nga ky ligj nuk përfitojnë 10 kompani, por të gjitha kompanitë, ndryshe nga ç’përfitonin tani. Ne po e orientojmë biznesin drejt tregun për ta bërë atë sa më konkurrues.

Harasani: Korporata ka humbur 130 milionë euro
Deputeti socialist, ish-drejtor i KESH-it, Andis Harasani, tha se humbja që Korporata Energjetike ka pësuar në këto tre vjet është 130 milionë euro. “Jam dakord me gjithçka tha ministri, përjashto një fjali që tha ai kur tha që ka lobime të kompanive në mënyrë që opozita të kundërshtojë këtë ligj. Nëse ka kundërshtim nga ana e opozitës, i vetmi kundërshtim është pse u vonua ky ligj kaq kohë duke marrë edhe ne përgjegjësitë tona. E vetmja gjë që doja të bëhej e qartë dhe për konsumatorin shqiptar, u bë një llogari shumë më e thjeshtë që CEZ nga këta klientë tariforë fiton një shumë prej 40 milionë eurosh dhe në 3 vjet që punon në Shqipëri ka fituar një shumë prej 130 milionë eurosh nga këto kompani, aq sa është dhe çmimi që CEZ bleu sektorin e shpërndarjes”, u shpreh Harasani.

© Panorama.al

Te lidhura