KUKES – Hektor Kelmendi, i shumëkërkuari nga Amerika, i cili u arrestua të martën në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë, është paraqitur dje në Gjykatën e Kukësit nën masa të larta të sigurisë për t’u njohur me vlerësimin e masës së arrestit. Gjykata vendosi që ai të qëndrojë 40 ditë në burg, derisa të kryhen procedurat e ekstradimit për në SHBA. Kelmendit i janë shqiptuar akuzat që vijnë nga përtej oqeanit nga Drejtësia amerikane, për trafik qeniesh njerëzore me pasojë vdekjen dhe plagosje, por Prokuroria e këtushme nuk do të bëjë ndonjë hetim të specializuar për Kelmendin. Kosovari nga Peja dhe me pasaportë amerikane ka pranuar akuzat e bëra nga organi i akuzës, por ka kërkuar ekstradim të menjëhershëm për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se atje do të dijë se si t’u përgjigjet akuzave të ngritura ndaj tij. Kelmendi nuk ka pranuar avokat, megjithatë në bazë të ligjit atij i është dhënë mundësia e pasjes së një avokati, kryesisht në seancën e dhënies së masës së arrestit. Aktivitetin e trafikimit të qenieve njerëzorë ai e ka kryer në Miçigan, në kufirin mes Kanadasë dhe SHBA-së, ku gjatë trafikimit ka aksidentuar për vdekje një klandestin dhe ka plagosur disa të tjerë. Skeda e tij kriminale është në SHBA. Shteti i Nju Jorkut është vendi ku ai do të gjykohet më tej. Kelmendi ka lindur në Pejë dhe më pas familja e tij ishte vendosur në Serbi, por vetë Kelmendi që herët kishte emigruar në SHBA, ku ka dhe familjen e tij dhe tre fëmijët. Ai më së shumti kishte lëvizur me pasaportë serbe nën emrin e rremë Demë Nikqi. Pas vlerësimit të masës së arrestit, Kelmendi nën masa të rrepta sigurie është përcjellë për në Burgun 313 të Tiranës. Policia e Kukësit e ndaloi Hektor Kelmendin, 51 vjeç, gjatë hyrjes në pikëkalimin kufitar të Morinit nga Kosova. Ndalimi i tij u bë për shkak se rezultoi person në kërkim gjatë kontrollit të dokumentacionit të tij në sistemin TIMS. Pas verifikimit të emrit të tij, nëpërmjet zyrës së Interpolit u mësua se Kelmendi ishte një ndër pesë personat më të kërkuar nga Drejtësia amerikane. Urdhri i arrestit ishte lëshuar në prill të vitit të kaluar. Arrestimi i Kelmendit në pikën kufitare të Morinit shënon numrin e 15-të të personave të ndaluar që kërkoheshin nga shtete të ndryshme. j.h











