Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për pavlefshmërinë e akteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Vendimi është marrë nga Kolegji Penal, i cili ka vendosur mospranimin e rekursit.
“Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga Erion Veliaj kundër vendimit 228(87-2025-359) datë 20.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe e Apelit i rrëzuan kërkesat gjatë muajve shtator–tetor të vitit 2025.
AKUZAT NDAJ VELIAJT
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e “korrupsionit pasiv” e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Kujtojmë se çështja ndaj çifit Veliaj, ish-deputetes socialiste Klotilda Bushka dhe 15 personave të tjerë, përfshirë pronarë kompanish ndërtimi dhe bashkëpunëtorë të çiftit të parë të kryeqytetit, ka kaluar për gjykim në GJKKO, pas shtyrjes së 11 seancave për arsye të mosparaqitjes së avokatëve, apo për t’u dhënë kohë atyre për të përgatitur kërkesat e tyre në seancën paraprake.
© Panorama.al













