1. Duke lexuar një shkrim të regjizorit të talentuar dhe intelektualit të angazhuar me bindje qytetarie në punët e kulturës tonë, Joni Shanaj, mësova për ngritjen e një ndërtese të re në qëndrën e qytetit të Korçës.
Korça është qyteti më qytet që ka vendi ynë. Shkodra, Tirana, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Elbasani kanë pjesë qytetesh brenda rrethinave të veta, ndërsa Korça është qytet nga fillimi në fund. Si urbanistikë, arkitekturë, balancim mes trashëgimisë të së kaluares me bashkëkohësinë moderne, me një qëndër të organizuar mjeshtërisht, një qëndër që nuk bërtet, që ka një hijeshi të heshtur, një grandiozitet të një zonje të së kaluares që jeton në harmoni me kohën e sotme. Kisha e Metropolitisë pajtohet me biblioteken më të bukur që ka Shqipëria (pikërisht tani që Bibliotekea Kombëtare në Tiranë është si një gërmadhë e mjerë); pazari i madh është një monument i gjallë i një kulture popullore; MuzeuGaleri i Ikonografisë mesjetare, monumenti më i rëndësishëm kultural që ka vendi ynë, është i vetmi mjedis që mund t’ua rekomndosh të huajve si një provë e vlerave të mëdha europiane të kulturës tonë në shekuj; një qytet i cili është ndër të vetmit që nuk është joshur nga marrëzia e babëzitur e ngritjes së qiell-gërryesve…
Është i vetmi qytet që të kujton qytetet paqësore të Zvicrës a të Austrisë, me rrugët e qeta të rrethuar nga pemët dhe me shtëpi-vila impresionuese…
Nuk është e domosdoshme të jesh arkiktekt, që të japësh mendimin tënd për një vepër a anti-vepër që shëmton a zbukuron qytetet tona. Ngritja e një ndërtese të stilit arketekturial brutalist në qëndrën e bukur të Korçës, pranë Kishës të stilit bizantin mesjetar, më krijoi çudinë revoltuese që ndjen njeriu normal po të shihte një skelet të ndryshkur biçiklete, mbështetur në pragun e godinës së Tate Gallery të Londres a të Luvrit. Me ndryshimin e vetëm se skeletin e shëmtuar gjithë ndryshk të biçikletes e zhvendos lehtësisht në një landfill, kurse godinës së shëmtuar nuk ke çfarë t’i bësh… Godinat e mëdha brutaliste si ajo që është ndërtuar në qendër të Korçës (kur them- Godinë e shëmtuar-them atë që në mënyrën më të sinqertë vetë ndërtuesit e saj e quajnë të tillë- brutaliste), flet për një fenomen që ka kohë që ka filluar të shfaqet tinzërisht në vendin tonë. Brutaliste është deri diku dhe Grataçieli i ngritur në anën perendimore të Sheshit Skënderbeg, në krahun e majtë të Muzeut Historik,; element të stilit të artitekturës brutaliste kanë madje dhe katër a pesë grataçele të tjera në Tiranë; madje dhe Çelësi i Rrotullimit në Shkodër është në skulpturë moderniste e stilit brutalist. Dhe vetë koncepti i skulptures përpara Galerisë Kombëtare të Arteve figurative është një brutalizëm me emrin ambalazhues- Instalacion . Sepse brutalizmi nuk është veç një koncept artitektural, por dhe filozofik, estetik, madje dhe ideologjik.
2. Artitektura brutaliste, që merret si model sot nga Tirana-nga ky kryeqytet periferik i një elite politike snobe periferike-, është një stil arkitekturor që u shfaq gjatë viteve 1950 në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e projekteve të rindërtimit pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërtesat brutaliste njihen për ndërtimin minimalist, ku materialet e papërpunuara të ndërtimit dhe elementet strukturore lihen të dukshme, në vend që të mbulohen me dekorime. Ky stil përdor zakonisht beton të ekspozuar dhe të palyer ose tulla, forma gjeometrike këndore dhe një gamë ngjyrash kryesisht monokromatike; përdoren gjithashtu materiale të tjera si çeliku, druri dhe xhami.
I lindur nga modernizmi, brutalizmi konsiderohet si një reagim ndaj nostalgjisë që karakterizonte arkitekturën e viteve 1940. Termi rrjedh nga fjala suedeze nybrutalism (“brutalizëm i ri”) dhe u përdor për herë të parë nga arkitektët britanikë për të përshkruar qasjen e tyre novatore ndaj projektimit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, brutalizmi u përdor gjerësisht në projektimin e banesave sociale funksionale dhe me kosto të ulët, të ndikuara nga parimet socialiste, dhe më pas u përhap në pjesë të tjera të botës, duke u pasqyruar edhe në stile të ngjashme në Evropën Lindore.
Popullariteti i këtij stili filloi të binte në fund të viteve 1970, pasi shumë njerëz e lidhën atë me degradimin urban dhe totalitarizmin. Në vendet socialiste dhe komuniste, brutalizmi u bë veçanërisht i përhapur sepse stilet tradicionale konsideroheshin borgjeze, ndërsa betoni simbolizonte barazinë.
Brutalizmi ka qenë gjithmonë një stil përçarës. Si ndërtesa të veçanta, ashtu edhe vetë lëvizja, kanë marrë kritika të shumta dhe shpesh janë përshkruar si të pajetë, jo njerëzore dhe kundër njeriut. Në shumë vende janë organizuar fushata publike për shembjen e ndërtesave brutaliste.Familjet që jetojnë në Council Houses, kanë fatalitetin që fëmijët e tyre,të rritur brenda mureve të një ndertese brutaliste, në 90 përqind të rasteve të bëhën kriminelë.
Brutalizmi i ri nuk është vetëm një stil arkitekturor; ai është edhe një qasje filozofike ndaj projektimit arkitektonik, që synon krijimin e ndërtesave që depersonalizojnë qëniet njerëzore. Si filozofi arkitekturore, brutalizmi lidhej shpesh me ideologjinë utopike socialiste.Nuk është e rastit që brutalizmi ka përkrahjen më të madhe nga Xhorxh Soros dhe nga disa arkitektë të ngjashëm izraelitoamerikanë.
Dhe nuk është e rastit që ky stil pati një rol të rëndësishëm në arkitekturën e vendeve komuniste evropiane nga mesi i viteve 1960 deri në fund të viteve 1980, përfshirë Bullgarinë, Çekosllovakinë, Gjermaninë Lindore, Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë.Por dhe në disa vende Përendimore. Faner Hall në Southern Illinois University Carbondale ka qenë prej kohësh objekt polemikash për stilin e tij brutalist dhe është konsideruar si një ndërtesë e shëmtuar në kampus. Universiteti madje e ka përshkruar me humor si një ndërtesë me “një fasadë që vetëm ajo që e ka lindur mund ta donte”.
Biblioteka kryesore e sistemit të bibliotekave të Universitetit Georgetoën, Lauinger Library, u projektua nga John Carl Ëarnecke dhe u hap në vitin 1970. Fillimisht ishte planifikuar në një stil tradicional, të ngjashëm me ndërtesat e tjera të universitetit, por projekti përfundimtar përqafoi brutalizmin dhe synonte të ishte një interpretim modern i ndërtesës historike Healy Hall, në stilin romanesk flamand.
Në vitin 1976, biblioteka fitoi Aëard of Merit nga Instituti Amerikan i Arkitektëve për arritje të shquar në arkitekturën e bibliotekave. Megjithatë, me ndryshimin e qëndrimeve publike ndaj brutalizmit, ajo është përshkruar në vitet e fundit si një nga “ndërtesat më të shëmtuara” në Georgetoën dhe në Uashington, D.C.
Një artikull i revistës The Economist në vitin 2014 vuri në dukje se brutalizmi është gjerësisht jopopullor, duke theksuar se fushatat për shembjen e ndërtesave zakonisht kanë në shënjestër pikërisht ndërtesat brutaliste. Sipas gazetarit Simon Jenkins: “Pak stile në histori mund të kenë hasur kaq shumë kërkesa nga vetë përdoruesit e tyre për t’i parë të shkatërruara.”
Në vitin 2005, emisioni britanik ‘ Demolition ‘ organizoi një votim publik për të zgjedhur dymbëdhjetë ndërtesat që duhej të shembeshin, dhe nëmbëdhjetë prej tyre ishin ndërtesa brutaliste.
3. Përse politikanët tanë edhe pse kaq vonë, janë të tërhequr estetikisht drejt brutalizmit? A ka lidhje arroganca e pushtetit, megalomania, pandjeshmëria, kleptomania me tërheqjen ndaj shëmtimit estetik? A ka lidhje e shëmtuara (brutalizmi) si një koncept estetik, me ligësinë njerëzore, me perversitetin, me anomalinë? Filozofi dhe mendimtari bashkëkohor britanik, Sir Roger Scruton argumenton se E bukura, E verteta dhe Mirësia krijojnë ndërlidhjen vitale të vlerave më sublime. Ndryshe nga relativistët mendjelehtë, ai ngul këmbë se e bukura është një nevojë objektive dhe universal për ta lartësuar Shpirtin. Në kundërshtim me relativizmin mendjelehtë dhe narcistik, ai beson se E bukura i jep kuptimin e thellë jetës tonë. Tani lexuesit i duhet të krijojë të kunderten e konceptit të më sipërm, që të kuptojë më qartësisht se cfarë ka ndodhur në qytetin e Korçës. Nëse e bukura është Mirësi, e shëmtuara është ligësi; nëse e vërteta është mirësi, Gënjeshtra, edhe ajo më e sofistikuara, është perversitet dhe shëmtim. Ja pra çfarë i paska ndodhur Korçës fisnike, me godinën e parë brutalistike, në qëndrën e saj, ndërtuar nga E shëmtuara, Gënjeshtra dhe Ligësia.
Dhe së fundi, ngase ky shkrim u nxit nga një ese e regjizorit Joni Shanaj, ju kujtoj se në Festivalin e 81-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia më 1 shtator 2024, filmi me titullin The Brutalist një bashkëprodhim i Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Hungarisë, u nderua me çmimin Luani i Argjendtë për Regjinë më të Mirë. Po të ishte xhiruar dy vite më vonë, do të kishim dhe sekuenca të filmit nga ndërtesa brutalistike e Korçës.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












