Video/ Ja ndryshimi, dikur Partia Socialiste e kërkonte pushtetin me dhunën e gjak, sot Gjenerata Z e kërkon ndryshimin me paqe dhe qytetari

Jul 6, 2026 | 8:08

protesa dje dhe sotKa një ndryshim të madh mes protestave që sollën dikur Partinë Socialiste në pushtet dhe protestës që po zhvillohet prej 36 ditësh nga mijëra qytetarë.

Atëherë u kapërcyen kordonët e policisë, u çanë gardhet, u përdorën shkopinj gome dhe pati përplasje të dhunshme. Edhe ato u quajtën “protesta paqësore”.

Sot, pas 36 ditësh në shesh, pamja është krejt tjetër. Nuk është thyer asnjë xham i Kryeministrisë. Në fund të protestës, qytetarët mbledhin edhe mbeturinat që lënë pas. Disiplina, qytetaria dhe vetëpërmbajtja janë bërë mesazhi më i fortë i kësaj lëvizjeje
Madje, edhe në momentin kur protestuesit rrethuan Kryeministrinë dhe kryeministri u gjend i izoluar, askush nuk zgjodhi rrugën e dhunës. Qytetarët e lanë të largohej. Jo nga dobësia, por nga bindja se pushteti nuk duhet marrë me forcë dhe se Shqipëria nuk ka nevojë të përjetojë një tjetër 21 Janar.

Askush nuk dëshiron që familje të tjera të presin me ankth para televizorit apo të kërkojnë drejtësi për viktima të reja.

Ky është ndryshimi i vërtetë.

Një brez kërkonte ndryshimin përmes përplasjes. Gjenerata Z po kërkon ndryshimin përmes qytetarisë.

Ajo nuk kërkon hakmarrje, por përgjegjësi; nuk kërkon gjakderdhje, por demokraci; nuk kërkon pushtetin me forcë, por largimin paqësor të një pushteti që, sipas saj, ka humbur legjitimitetin moral.

Historia do t’i gjykojë të gjitha protestat. Por një gjë është e dukshme: kjo gjeneratë po përpiqet të dëshmojë se ndryshimi mund të vijë pa dhunë, pa urrejtje dhe pa derdhur asnjë pikë gjak.

© Panorama.al

Te lidhura