
Operacioni pas 2 muajsh hetimi, nisur nga denoncimi i qytetarit.
Korçë, arrestohet në flagrancë Elton Dojca. Policia: Donte 200 mijë lekë kundrejt veprimeve të paligjshme.
Arrestohet në Korçë një prej punonjësve të ALUIZNI-t të qarkut. Juristi Elton Dojca mësohet se është arrestuar me akuzën e korrupsionit pasiv, pasi ka tentuar të favorizojë legalizimin e një shtese pallati, duke përfituar nga profesioni që ushtronte. Sipas të dhënave të Policisë së Korçës, 38-vjeçari ka kërkuar një shumë të konsideruar lekësh ndaj një qytetari për ta ndihmuar atë në përshpejtimin e procedurave të legalizimit të shtesës së apartamentit që ai kishte bërë. Hetimet e kryera në një periudhë kohore prej dy muajsh kanë nxjerrë përfundimin se shuma që punonjësi i ALUIZNI-t ka dashur të përfitojë në formën e ryshfetit është në vlerën e 200 mijë lekëve të rinj. Këtë shumë ia ka kërkuar qytetarit të interesuar për të ligjëruar shtesën e ndërtimit të kryer prej tij për zgjerimin e apartamentit ku jetonte. Sipas të dhënave të Policisë, ka qenë një operacion i kryer nga Sektori i Luftës Kundër Krimit Financiar në

Drejtorinë Rajonale të Korçës, në bashkëpunim me njësinë Task-Force që ka vënë në pranga 38-vjeçarin Elton Dojca, ndërsa sinjalizimi është marrë nga vetë qytetari. Ky i fundit, i shqetësuar nga kërkesa e juristit, ka denoncuar rastin në polici, duke bërë që 38-vjeçari të kapet në kushtet e flagrancës. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë, për dokumentimin e kësaj vepre penale është punuar me metodat speciale të hetimit dhe pas një pune intensive është dokumentuar në rrugë ligjore aktiviteti i paligjshëm i këtij punonjësi. Pasi ka provuar veprimet që po kryheshin nga ana e punonjësit të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave e Ndërtimeve Informale, është përgatitur dhe operacioni i koduar “Juristi”. Nga burime të Policisë mësohet fakti se hetimet janë kryer prej 2 muajsh, ndërsa nuk bëhet e ditur zona se ku ishte kryer shtesa pa leje, me qëllim ruajtjen e anonimatit të denoncuesit. Operacioni ka pasur si qëllim arrestimin në flagrancë të juristit, i cili nuk kishte pasur më parë precedentë penalë. Në momentin që do të shkëmbeheshin paratë e premtuara ia ka behur policia, e cila ka bërë arrestimin në flagrancë të 38-vjeçarit. Policia njoftoi dje se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 40 copë kartëmonedha me prerje 5-mijëlekëshe, dokumente të nevojshme që do të shërbenin për kryerjen e veprimeve që mundësonin legalizimin e shtesës së pallatit, si dhe një aparat celular. Ndaj 38-vjeçarit rëndon akuza e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Ende nuk dihet dëshmia e të arrestuarit, kapja e të cilit në flagrancë, sipas Policisë, tregon për implikimin e tij në këtë aferë korrupsioni.
2 muaj zgjati hetimi për juristin korçar Elton Dojca, gjatë të cilëve sipas Policisë janë përdorur metoda speciale për të provuar akuzën për korrupsion.
200 mije lekë ishte shuma e kërkuar nga juristi për të favorizuar qytetarin në kërkesën e bërë për legalizimin e shtesës së apartamentit të tij.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











