
Deputeti socialist, Taulant Balla, ka marrë një kërcënim përmes telefonit. Një person e ka telefonuar deputetin Balla duke i deklaruar se atij do t’ia mbyllin gojën dhe presin gjuhën. Balla ka bërë padi në Prokurorinë e Përgjithshme dje paradite, kallëzim që cilësohet si kanosje për shkak të detyrës. Mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ia dërgoi çështjen Prokurorisë së Tiranës, e cila, nga ana e saj, ka nisur zyrtarisht hetimin, me të cilin ka ngarkuar prokurorit Blerim Tominaj për drejtimin e hetimeve. Sipas Prokurorisë, dyshohet se personi që ka bërë kërcënimin duhet të ketë lidhje me një nga kompanitë që kanë përfituar nga koncesioni i fibrave optike. Deputeti socialist e ka argumentuar kërcënimin e marrë se ka lidhje me seancën e së enjtes, ku ai kishte thirrur në një interpelancë ministrin e Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, të cilin e akuzoi dhe për ryshfet në shumën e 1.2 milionë eurove për favorizim. Deputeti Balla u dorëzoi prokurorëve dje edhe një kopje të fjalimit në tekstin e të cilit e mbajti gjatë interpelancës me ministrin Pollo. Ai e akuzoi ministrin Pollo se ka ndjekur disa kritere pasi ka marrë ryshfet nga kompania që, sipas tij, zoti Pollo ka paracaktuar se do të fitojë tenderin në këtë sektor strategjik dhe fitimprurës. Sipas Ballës, në kriteret e përcaktuara thuhet se qeveria do t’i blejë paraprakisht firmës fituese 50 për qind të tregut për ta përdorur internetin me bazë të gjerë për institucionet shtetërore.











