Kërcënimi i Ramës, pezullohet dosja

Apr 4, 2011 | 12:58
Të arrestuarit për kërcënimin e Edi Ramës në gjyq

Pezullohet hetimi ndaj tre personave të akuzuar për kërcënim ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, një ditë para demonstratës homazh të mbajtur në Tiranë më 28 janar 2011.Burime nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton çështjen, kanë thënë se dosja penale është pezulluar për mungesë provash. Sipas procedurës ligjore, fashikulli hetimor, pas pezullimit, i është përcjellë Policisë së Shtetit për plotësimin me provat dhe faktet e nevojshme që do të mundësonin ndjekjen penale. Tre personat e akuzuar në këtë dosje janë shtetasit Fatos Rami, Luan Rami dhe Afrim Kica, të cilët u arrestuan me bujë më datën 27 janar të këtij viti, ndërsa Prokuroria deklaroi se tre personat po siguronin mjetet e nevojshme për të kryer vrasje ndaj kreut të opozitës. Ndonëse akuza që u bë fillimisht ndaj tyre ishte e rëndë, tashmë tre personat janë të lirë, pasi Gjykata e Apelit, vlerësoi së edhe ato pak “prova” që ndodheshin në dosje, ishin marrë në mënyrë të paligjshme. “Provat” në fjalë janë në fakt disa përgjime telefonike të kryera nga Shërbimi Informativ Shqiptar, SHISH-i, të cilat kanë vetëm efekt operativ apo parandalues, por nuk kanë vlerën e provës në Gjykatë, pasi janë bërë pa autorizim të posaçëm nga togat e zeza. Duke qenë se në dosje nuk ka asnjë provë tjetër veç përgjimeve të SHISH-it, si dhe nisur nga fakti se tre të akuzuarit kanë mohuar ekzistencën e ndonjë plani kriminal ndaj Edi Ramës, Prokuroria ka analizuar çështjen në tërësi. Një tjetër fakt është se në banesat dhe në makinat e tre shtetasve të dyshuar, nuk janë gjetur armë apo sende të tjera të paligjshme. Më 27 janar, tre personat u arrestuan për shkak se Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj tyre masën e arrestit me burg me afat 30-ditor. Kjo kohë kaloi dhe akuza nuk arriti të grumbullojë prova të reja, ndërkohë që çështja shkoi në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit e konsideroi shkelje të Prokurorisë administrimin në dosje të përgjimeve të SHISH-it, të cilat nuk kanë vlerën e provës. Pas konstatimeve nga gjykatat, Prokuroria e Tiranës ka vendosur pezullimin e dosjes për mungesë provash dhe dërgimin e akteve në Policinë e Shtetit për ndjekje të mëtejshme operative.

Kërcënimi i Edi Ramës me sms

Mesnatën e 21 janarit, Luan Rami i ka dërguar një sms kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në të cilin shprehej se militantët socialistë kishin dëmtuar makinën e tij në bulevard gjatë demonstratës tek Kryeministria. Luan Rami telefonoi disa herë në numrin e Ramës ku dërgoi edhe disa sms, por gjashtë ditë më pas, u arrestua me akuzën fillestare të Prokurorisë, “sigurimi i mjeteve të nevojshme për të kryer vrasje”.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura