Këngët jo komerciale, por që u bënë hite

Oct 15, 2011 | 12:32

Jetojmë në kohën e komerciales, asaj që shitet më shumë, tallavaja po bën kërdinë, por megjithatë ende ka artistë të cilët krijojnë muzikë të pastër shqipe. Jemi mësuar të shkruajmë dhe të lexojmë vetëm për shthurje të muzikës dhe elementeve të tepruara të turbo-folkut, por këtë herë do flasim për interpretimet e vërteta, artistë me vlera dhe mbi të gjitha këngë që ia vlen të dëgjohen. Janë këngë që janë krijuar kohëve të fundit dhe sigurisht që janë të mrekullueshme. Jo komerciale, por hite të vërteta. Ja cilat kemi zgjedhur.

ELVANA GJATA “PA TY”
Muzikë e lehtë, melodi që tërheq me të parën, një tekst i thjeshtë, por shumë prekës. Të gjitha këto bëhen elemente suksesi për këtë këngë emocionuese, tek e cila e gjen veten kushdo. Interpretimi i mrekullueshëm i Elvanës i ka dhënë shansin kësaj kënge të punuar nga Flori, të bëhet një nga këngët më të bukura për momentin. Kënga “Pa ty” është punuar edhe me videoklip, duke u radhitur kështu në një nga klipet më të kërkuara dhe më të klikuara në internet. Nuk është komerciale, por do mbetet hit gjithmonë.

ARGJENTINA RAMOSAJ “SHPIRTI MBYLLUR”
Është një nga këngët e para të Argjentinës, këngë kjo e bukur dhe shumë e kërkuar, por radiot dhe televizionet i japin shumë pak rëndësi në Kosovë. Këtë këngë, siç duket e ka penalizuar vlera artistike që mban dhe shumica e mediave nuk e transmetojnë, gjë që është një humbje e madhe për muzikën shqipe.

KEIDA BUDINI “ ZEMRËN E KE BOSH”
Shpesh na duket sikur Flori Mumajesi po jeton në sajë të komercializmit që i ka bërë muzikës shqipe, por kjo listë e këngëve me vlera na bën me dije se edhe producenti më i kërkuar shqiptar punon për dëgjues vlerash, natyrisht nëse kërkohet një gjë e tillë prej tij. Kënga “Zemrën e ke bosh” nga Keida Budini është një produkt i mrekullueshëm, i cili mund të bëhet dhuratë e këndshme për veshin e dëgjuesit. Ka një ritëm sensual që të relakson teksa e dëgjon.

NORA ISTREFI FT. MC KRESHA “ASNI ZO”
Pa diskutim ishte kjo kënga më ‘in’ gjatë sezonit veror. Është një këngë tepër e nxehtë dhe nuk ka asnjë detaj të tallavasë, rrymë kjo që të gjithë e përdorin si çelës suksesi. Nora me këtë këngë ka bashkëpunuar me reperin Mc Kresha, që i ka dhënë edhe më shumë afinitet këngës, ndërsa ishte bashkëpunimi i dytë për këtë verë pas duetit me Ermal Fejzullahun. Nora pritet të sjellë dhe një tjetër bashkëpunim, këtë radhë me Stresin.

ALBAN SKËNDERAJ “SI MË PARË”
Që në start të karrierës së tij, ka ditur që edhe muzikën e mirëfilltë ta shesë. Alban Skënderaj është ndër të vetmit që ka arritur me muzikën e mirë e të pastër, të kapë tregun e populluar nga “shkundje” pa sens. Kënga e tij e re me titull “Si më parë” është njëra nga ato që ka pushtuar zemrat e shumë njerëzve. Kjo këngë gjendet në albumin e tij të ri me titull “Ende ka shpresë” dhe, siç mësojmë, shitja e albumit po shkon shumë mirë, edhe pse ka krizë në treg.

VEDAT ADEMI “EMRIN TIM”
“Më  pëlqen se është ndër të vetmit që përpiqet të bëjë muzikë të vërtetë, bravo Vedat!”, kështu shkruhet në të shumtën e komenteve që japin poshtë videove të tij në Youtube. Shumë njerëz pëlqejnë këngët e Vedatit për shkak se ai gjithmonë performon live dhe mundohet të jetë sa më aktual në treg, edhe pse konkurrenca është shumë e madhe këto kohë.

JONIDA MALIQI “NJË ORË MË SHUMË”
Ka dëshmuar gjithmonë se është një këngëtare me shije të hollë edhe në përzgjedhjen e këngëve që  performon. E ndjerë dhe tepër emocionuese është edhe kënga e saj “Një orë më shumë” , të cilës ajo i ka shtuar para disa muajve edhe videoklip. Këngëtarja këtë radhë konkurron në “Këngën Magjike” vetë i dytë, pasi në bark mban foshnjën e saj të parë.

ELIZA HOXHA “TEATËR N’ADËRR”
Eliza njihet për kultivimin e drejtë dhe të pastër të muzikës. Skenës shqiptare ajo i ka dhënë shumë këngë me vlera. E di që tregu është i pushtuar nga flluskat komerciale, por thotë: “Te ne ka njerëz që muzikën e kanë mjet vetëm për të marrë nga publiku, për t’i manipuluar ata, duke bërë vepra gjoja të bazuara në kërkesat dhe dëshirat e tyre, si dhe për t’u bërë faktorë në shoqërinë ku bëjnë pjesë. Shpeshherë janë pikërisht flluska të fryra komerciale, ato që marrin majat duke u shndërruar në pika referuese”.

ANXHELINA HADËRGJONAJ “KJO JETË S’MJAFTOI”
Interpretimi “live” në skenën e madhe të festivalit “Top Fest” u tregoi njerëzve kualitetin e Anxhelina Hadërgjonajt në fushën e muzikës. Kënga e saj është një nga baladat e mrekullueshme që gjithmonë do t’i rezistojë kohës. Edhe tema e trajtuar është e ndjeshme, pasi bëhet fjalë për një person që nuk gjendet më ndër të gjallët. Anxhelina ka udhëtuar drejt Amerikës për realizimin e ëndrrës së saj, mbarimin e studimeve dhe fillimin e një karriere atje.

XHENSILA MYRTEZAJ “ENGJËLLI IM”

Këngëtarja e re Xhensila Myrtezaj, këngës “Engjëlli im” i ka bërë edhe klipin. Kjo këngë ka fituar zemrat e shumë të rinjve e ndërkaq ajo edhe më tej është në kërkim të suksesit. Zëri dhe pamja e këndshme, sigurisht që do t’i sigurojnë asaj një pozicion më të lartë në tregun e ngjeshur muzikor, gjithmonë nëse vazhdon të sjellë krijime të mira, edhe pse dihet se të tilla këngë nuk sigurojnë shumë para.

 

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura