KEK i Kosovës i kthen “borxhin” KESH

Oct 26, 2011 | 11:39
Kreu i KEK, Arben Zhukaj

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka rinovuar marrëveshjen e bashkëpunimit me Korporatën Energjike të Kosovës, nga e cila do të përfitojnë të dyja palët sa i përket shitblerjes së energjisë. Sipas KESH, kjo marrëveshje do të bëjë të mundur që si Kosova, ashtu edhe Shqipëria të optimizojnë prodhimin e energjisë elektrike, KESH të asaj që prodhon nga hidrocentralet dhe KEK të asaj që prodhon nga termocentralet. Tashmë falë kësaj marrëveshjeje, KESH po merr nga Korporata Energjetike e Kosovës energjinë që është depozituar gjatë periudhës së reshjeve të dendura. Kjo është një rezervë që KESH-i po e tërheq në këto muaj, që po karakterizohen nga thatësira, me qëllim furnizimin pa ndërprerje me energji të qytetarëve. Në fakt, bashkëpunimi i korporatave tashmë është i hershëm dhe daton qysh në vitin 2001 dhe për të dyja palët janë parë mënyrat se si mund të përfitohet nga bashkëpunimi. Kështu, gjatë viteve të fundit, falë reshjeve, por edhe menaxhimit të mirë që i është bërë rezervës hidrike në kaskadë, KESH-i ka depozituar vazhdimisht energji në

Kreu i KESH, Engjëll Zeqo

Kosovë, për ta tërhequr atë kryesisht gjatë verës. “Në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2008, KESH-i  i lëvroi KEK-ut  267.685 megavat orë, duke shmangur derdhjen e ujit pa prodhim energjie, ndërkohe KEK sh.a. është duke e kthyer aktualisht këtë sasi energjie. Pasi këtë periudhë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shumë nevojë për marrjen e kësaj energjie, sepse është në kushtet e prurjeve të ulëta hidrike në kaskadën e lumit Drin”, thanë burime zyrtare pranë KESH-it.
Nënshkrimi
Rreth një javë më parë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare rinovoi marrëveshjet e bashkëpunimit me KEK-un e Kosovës. Marrëveshjet e reja të bashkëpunimit të shkëmbimit dhe shitblerjes së energjisë u nënshkruan nga drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Ëngjëll Zeqo dhe drejtori i përgjithshëm i KEK-ut, Arben  Gjukaj.  Korporata Elektroenergjitike Shqiptare e ka konsideruar dhe e konsideron bashkëpunimin me Korporatën Elektroenergjitike të Kosovës tepër të rëndësishme dhe strategjike në drejtim të sigurimit të energjisë elektrike për garantimin e furnizimit me energji të konsumatorëve. Ky bashkëpunim ka nisur që në vitin 2001 me nënshkrimin e marrëveshjes së parë pesëvjeçare të shkëmbimit të energjisë elektrike ndërmjet dy korporatave, dhe ka vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjes se dytë trevjeçare të shkëmbimit të energjisë elektrike, e nënshkruar në vitin 2008. Këto marrëveshje kanë dhënë rezultate shumë pozitive, si në garantimin e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, por edhe në dhënien e ndihmës reciproke për përballimin e situatave emergjente, siç ishte situata e prurjeve të mëdha gjate vitit 2010. Në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2008, KESH-i i lëvroi KEK-ut 267.685 megavat orë, duke shmangur derdhjen e ujit pa prodhim energjie, ndërkohe KEK-u është duke e kthyer aktualisht këtë sasi energjie. Pasi këtë periudhë KESH ka shumë nevojë për marrjen e kësaj energjie, sepse është në kushtet e prurjeve të ulëta hidrike në kaskadën e lumit Drin. Një element tjetër i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është dhe fakti që gjenerimi i energjisë elektrike aktualisht në Shqipëri është tërësisht i bazuar në burimet hidrike dhe për rrjedhojë është i varur nga kushtet atmosferike. Ndërsa gjenerimi i energjisë elektrike në Kosovë është tërësisht i bazuar në burimet termike. Ky fakt bën të mundur krijimin e mundësive për një optimizim më të mirë të gjenerimit të energjisë elektrike në dy vendet tona, si dhe dhënien e ndihmës së ndërsjellë, kur kjo është e nevojshme për të dyja korporatat.

So do të përballohen emergjencat
Përveç marrëveshjeve të shkëmbimit të energjisë elektrike, bashkëpunimi me KEK sh.a. është materializuar dhe në dy marrëveshje të tjera për shitblerjen e energjisë elektrike në kushtet e emergjencës. Marrëveshja e parë e shitblerjes ndërmjet dy korporatave është nënshkruar në vitin 2009 dhe ka qenë në fuqi deri në mars të vitit 2010. Marrëveshja e dytë është nënshkruar në vitin 2010 dhe ka qenë në fuqi deri në mars të vitit 2011. Bazuar në këto dy marrëveshje të shitblerjes së energjisë elektrike, KESH-i i ka shitur KEK-ut rreth 85.000 megavat orë. Nisur nga rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet dy korporatave, është më se e domosdoshme vazhdimi i këtij bashkëpunimi, duke nënshkruar dy marrëveshjet e reja të shkëmbimit dhe të shitblerjes së energjisë. Këto marrëveshje janë të rëndësishme sidomos për Shqipërinë, e cila është e varur totalisht nga kushtet klimaterike, pasi prodhimi bëhet vetëm nga hidrocentralet.

KESH merr pjesë në seminarin për shkarkimin e ndotësve
Ekspertë të Korporatës Elektroenergjetike i janë bashkuar diskutimeve të një prej seminareve më të rëndësishëm për mjedisin, i zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë. Seminari me temë “Zbatimi i detyrimeve për Regjistrat e Shkarkimit dhe Transferimit të Ndotësve (PRTR) në Shqipëri”, solli në fokus disa çështje. Përfaqësues në këtë takim nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ishin specialistë mbi çështje të mjedisit pranë Departamentit të Investimeve. Gjatë seminarit u trajtua tema e ngritjes së kapaciteteve të nevojshme për të mbështetur zhvillimin e sistemeve të Regjistrave të Shkarkimit dhe Transferimit të Ndotësve (PRTR) për vendet e Europës Juglindore. Gjithashtu, u diskutua edhe për ngritjen e kapaciteteve nga autoritetet si në pajisje dhe software, me qëllim që të dhënat e raportuara mbi shkarkimin e ndotësve në ajër që monitorohen online nga operatorët, të jene sa më të besueshme për autoritetet. Në vijimësi, do të organizohen workshope me pjesëmarrjen e operatorëve industrialë, siç është edhe KESH, me qëllim plotësimin sa më korrekt të formularëve që do përpilohen nga autoritetet për grumbullimin e të dhënave më të strukturuara mbi shkarkimet në ajër. Regjistrat për PRTR do t’i raportohen sekretariatit të Konventës së Aarhusit nga Ministria e Mjedisit sipas standardeve që kërkohen.

© Panorama.al

Te lidhura